Makina përplas turmën në një treg në Kili, humbin jetën të paktën 6 persona. Mbeten 7 të pl*gosur

Një aksident me pasoja të rënda ka ndodhur në qytetin bregdetar Viña del Mar në Kili, ku një automjet u fut me shpejtësi në një treg të hapur, duke shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve.
Sipas autoriteteve, automjeti drejtohej nga një pjesëtar i Marinës Kiliane, i cili ndodhej jashtë shërbimit dhe po përdorte mjetin e tij privat.
Makina hyri në zonën e tregut, goditi qytetarë dhe tezga, ndërsa u ndal vetëm pasi u përplas me një stacion autobusi.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur automjeti futet në treg me shpejtësi të lartë, ndërsa më pas shoferi shoqërohet nga policia mes reagimeve të qytetarëve të pranishëm.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit pretendon se nuk mban mend ngjarjen. Hetimet paraprake tregojnë se mjeti po lëvizte në korsinë e tij, por me shpejtësi shumë të lartë. Përplasja me stacionin e autobusit shmangu që automjeti të vazhdonte më tej, duke kufizuar pasojat.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa presidenti i Kilit ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe mbështetjen për të plagosurit.


