Kërcënoi se do vriste Presidentin Biden, agjentët e FBI-së ekzekutojnë të dyshuarin
Një person, i akuzuar për kërcënime ndaj Presidentit Joe Biden, u vra nga agjentët e FBI-së në Juta disa orë përpara se Presidenti të mbërrinte atje të mërkurën, thanë autoritetet.
Agjentët FBI-së po përpiqeshin të zbatonin një urdhër arresti në shtëpinë e të dyshuarit Craig Deleeuw Robertson në Provo, në jug të qytetit Salt Lake, në orën 6:15 të mëngjesit kur filluan të shtënat me armë, thuhet në deklaratën e FBI-së.
Robertson postoi në internet të hënën se kishte dëgjuar se Presidenti Biden po vinte në Juta dhe se po planifikonte të gjente një kostum kamuflazhi dhe “të pastronte pluhurin nga snajperi M24”.
Ai ka thënë se është mbështetës i ish-presidentit Trump dhe në të kaluarën ka postuar kërcënime ndaj zyrtarëve të forcave të zbatimit të ligjit që janë duke hetuar atë.
Fqinjët e të dyshuarit Craig Deleeuw Robertson thonë se ai është i dobët, i moshuar dhe ecte me ndihmën e një shkopi. Ndonëse ai mbante rregullisht armë, ata thonë se nuk e shihnin si një kërcënim. Në llogaritë e tij në platformat e mediave sociale ai ka deklaruar se është 74 vjeç.
“Nuk mendoj se ai do të shkonte me makinë në qytetin Salt Lake dhe të qëllonte me armë presidentin. Jam një qind për qind i bindur se ai nuk do ta bënte këtë”, tha fqinji i tij Andrew Maunder.
Postimet treguan se ai dukej se zotëronte një snajper me rreze të gjatë veprimi dhe shumë armë të tjera, si dhe veshje kamuflimi, thanë hetuesit në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.
Robertson gjithashtu iu referua një “vrasjeje presidenciale” dhe bëri kërcënime të tjera kundër Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Sipas autoriteteve, Robertson kishte shkruar në Facebook në shtator të vitit 2022 se “Është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. Së pari Joe, pastaj Kamala!!!” Postimi i tij është përfshirë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë nuk përmendet asnjë avokat i të pandehurit Craig Deleeuw Robertson.
Nuk janë publikuar detaje të mëtejshme në lidhje me të shtënat, të cilat janë duke u analizuar nga FBI-ja.
Presidenti Biden është duke zhvilluar një turne në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Presidenti Biden ishte informuar lidhur me incidentin. Ai vizitoi të mërkurën shtetin e Nju Meksikos, ku foli në një fabrikë për prodhimin e turbinave me energji nga era. Më pas Presidenti Biden shkoi në Juta.
Të enjten, ai do të vizitojë një spital të Departamentit të Veteranëve në Juta për të folur rreth ligjit mbi përfitimet për veteranët e ushtrisë amerikane dhe do të mbajë një takim për mbledhje fondesh për zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024./ VOA