FIFA hap "derën" për Botërorin me 64 skuadra/ Infantino: T’u japim më shumë vendeve të vogla mundësinë e pjesëmarrjes

Kupa e Botës për Klube me format të ri, Botërori i zgjeruar me 48 skuadra, çmimet gjithnjë e më të larta të biletave, madje edhe spektakli i stilit "Super Bowl", që bëri që pushimi i finales së Kupës së Botës të zgjaste plot 27 minuta e 22 sekonda.
Por duket se FIFA nuk dëshiron të ndalet këtu.
Presidenti Gianni Infantino ka lënë të kuptohet se është i hapur edhe për një tjetër zgjerim historik, një Kupë Bote me 64 kombëtare.
"Nëse nuk u japim vendeve më të vogla mundësinë për të marrë pjesë, ato nuk do të kenë motivim të vazhdojnë të përmirësohen", deklaroi ai.
Megjithatë, kritikët theksojnë se kombëtaret më të vogla nuk janë të përjashtuara nga Botërori.
“A e dëgjove këtë, Gianni?”, Trump i bën thirrje publike presidentit të FIFA-s për ta organizuar sërish Kupën e Botës
Nëse janë mjaftueshëm cilësore, ato e sigurojnë kualifikimin, siç ndodhi me Kepin e Gjelbër, Curacaon, Jordaninë dhe Uzbekistanin.
Si lindi ideja për një Botëror me 64 skuadra?
Kupa e Botës 2030 do të shënojë 100-vjetorin e turneut të parë në histori, të zhvilluar në Uruguai.
Edicioni jubilar do të organizohet kryesisht nga Maroku, Portugalia dhe Spanja, ndërsa tre ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, si vende simbolike të centenarit.
Pikërisht CONMEBOL, konfederata e Amerikës së Jugut, propozoi në prill të vitit 2025 që Botërori 2030 të zhvillohej me 64 skuadra, si një zgjerim i vetëm për këtë edicion.
Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, argumentoi se një format i tillë do të siguronte që "askush në planet të mos mbetej jashtë festës".
Megjithatë, propozimi nuk ka marrë mbështetje të gjerë.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e quajti atë një "ide të keqe", si për vetë turneun ashtu edhe për procesin kualifikues.
Edhe presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, paralajmëroi se zgjerimi do të dëmtonte "ekosistemin e futbollit", ndërsa kreu i Konfederatës Aziatike, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, tha se një hap i tillë mund të sillte "kaos".
Pavarësisht kundërshtimeve, vendimi final i takon 37 anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, çka do të thotë se ideja mbetet ende në tryezë.
A do ta zhvlerësonte Botërorin?
Një Botëror me 64 skuadra do të kishte disa avantazhe.
Formati do të ishte më i thjeshtë: dy skuadrat e para të secilit grup do të kalonin direkt në fazën eliminatore, pa pasur nevojë për llogaritjet e skuadrave më të mira të vendit të tretë.
Gjithashtu, më shumë vende do të kishin mundësi të merrnin pjesë në skenën më të madhe të futbollit.
Infantino e mbështet këtë argument duke përmendur suksesin e Kepit të Gjelbër, që befasoi botën duke barazuar me Spanjën dhe Uruguain në fazën e grupeve, përpara se t'i rezistonte Argjentinës deri në kohën shtesë në 1/16 e finales.
Por historia nuk është e njëjtë për të gjitha ekipet.
Kombëtare si Haiti, Iraku, Jordania, Panamaja, Tunizia dhe Uzbekistani nuk arritën të fitonin asnjë pikë, ndërsa faza e grupeve pati shumë pak surpriza për favoritët.

