Asllani: Reforma territoriale duhet të përfundojë para zgjedhjeve vendore, shpopullimi ka dobësuar pushtetin lokal!

Eksperti i çështjeve zgjedhore, Ylli Asllani, vlerëson se reforma administrative-territoriale duhet të përmbyllet brenda këtij viti, në mënyrë që të jetë gati përpara shpalljes së zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Në një intervistë për “Ora News”, ai theksoi se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore janë të lidhura ngushtë, ndërsa paralajmëroi se koha në dispozicion mund të mos jetë e mjaftueshme për përfundimin e procesit.
Asllani u shpreh se, ndonëse në pamje të parë reforma zgjedhore dhe ajo administrative-territoriale duken si procese të ndara, ato ndërthuren në aspektin rajonal dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, reforma territoriale ka kaluar tashmë fazën e dëgjesave publike në të 12 qarqet e vendit dhe po i afrohet fazës përmbyllëse, ku do të diskutohet edhe koncepti i Tiranës metropolitane.
Megjithatë, ai vlerësoi se afatet janë të ngushta dhe nuk përjashtoi mundësinë e një shtyrjeje të procesit, me kusht që ai të përfundojë përpara nisjes së procedurave për zgjedhjet vendore.
Eksperti ngriti shqetësimin se Shqipëria po përballet me një nivel alarmues të shpopullimit, duke argumentuar se reforma territoriale e vitit 2014 ka ndikuar në përshpejtimin e këtij fenomeni.
Sipas Asllanit, zonat rurale dhe periferike janë goditur më rëndë, pasi u është reduktuar prania e institucioneve, shërbimeve publike dhe mundësive për punësim, çka ka nxitur largimin e banorëve. Ai theksoi se këto zona mbajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin bujqësor, ruajtjen e traditave dhe identitetit kulturor të vendit.
Në analizën e tij, Asllani kritikoi edhe mënyrën se si është zbatuar reforma e deritanishme, duke theksuar se nuk mund të flitet për modernizim të pushtetit vendor nëse shërbimet janë larguar nga qytetarët dhe përfaqësimi i tyre është zvogëluar.
Ai nënvizoi se parimi themelor i çdo reforme territoriale duhet të jetë ofrimi i shërbimeve sa më pranë qytetarëve, duke garantuar njëkohësisht llogaridhënie më të madhe të bashkive dhe përfshirje më aktive të komuniteteve në vendimmarrje.
Në përfundim, Asllani theksoi se rishikimi i hartës administrative duhet të synojë jo vetëm riorganizimin territorial, por edhe rikthimin e funksioneve dhe shërbimeve pranë qytetarëve, si një mënyrë për të forcuar pushtetin vendor dhe për të frenuar shpopullimin e vendit.
Ylli Asllani: Të dy reformat, edhe reforma zgjedhore edhe reforma administrative territoriale në pamjen e parë duket sikur janë dy vija paralele, por kanë momente të cilat mbivendosen me njëra-tjetrën. Dhe pikërisht kjo situatë zgjedhore që është tani i bashkon pjesa rajonale. Në të ardhmen ndoshta dhe në përputhje apo në përmbushje të kërkesave të spektrit politik, sidomos të opozitës mund të ketë rishikime dhe atëherë duhet folur ndryshe.
Në këtë moment që po flasim, ne jemi në reformën administrative në një moment i cili ka kaluar fazën e parë, atë të dëgjesave me qytetarët në të gjithë 12 qarqet e vendit. Dhe tani kemi dhe një finale këtu në Tiranë për të shfaqur idetë rreth konceptit për Tiranën e re metropolitane apo kryeqytetin e ardhshëm se si do të organizohet. Mendoj që koha në dispozicion sikurse e thatë dhe ju nuk është në favor të përmbushjes së misionit, kështu që ndoshta do të ketë një shtyrje për ta bërë më të plotë. Por kjo shtyrje deri në një moment i cili duhet të përkojë me shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Duhet thënë që në fillim që, përpara syve tanë, kemi një Shqipëri e cila është e shpopulluar tërësisht dhe shpopullimi ka marrë përmasa të cilat janë të frikshme për të ardhmen, jo vetëm të institucioneve vendore, por të institucioneve dhe bazamentit të shtetit shqiptar. Është larguar nga territori më shumë se gjysma e popullsisë, ku reforma e vitit 2014 mban një peshë të konsiderueshme në këtë shpopullim.
Për arsye sepse shpopullimi, sidomos i fshatit, periferisë, i atyre zonave tradicionale që mbartin jo vetëm prodhimin e përgjithshëm bujqësor, një peshë në atë prodhim, por edhe traditat, folklorin, etnokulturën, përmbajnë jetën, konstruktin shpirtëror shqiptar.
Këtyre zonave i është hequr pjesa, shërbimi ndaj qytetarëve, janë eliminuar momentet e punësimit, siguria për arsim, siguria për të bërë një jetë agroindustriale, dhe e kanë lënë gjysmën e popullsisë pa institucionet. E nisa përgjigjen me këtë paralele, për arsye sepse nuk mundet të flitet për efikasitet kur ti ke shkatërruar gjithçka. E dyta, juve thatë që kjo reformë kërkon modernizimin.
Nuk mund të flitet për modernizim kur shërbimet janë larguar nga qytetarët, kur përfaqësimi i tyre është rrudhur në maksimum. Domethënë, është një kompleks, në bazë të të cilit qëndron formula: shërbime afër qytetarit. Kur themi shërbime afër qytetarit kemi dhe kërkesën e llogarisë së qytetarëve për funksionimin e bashkive. Dhe marrjen e përgjegjësive të tyre në rekomandimet që japin, ose marrjen pjesë në jetën politike të një bashkie, të një territori.

