Nga drejtor i Policisë në shkrimtar, Ahmet Prençi rrëfen  “thesarin e fshehtë” që zbuloi pas uniformës

Nga drejtor i Policisë në shkrimtar, Ahmet Prençi rrëfen

Një kapërcim i papritur nga bota e ashpër e krimit dhe uniformës blu drejt botës së qetë të letrave ka ndodhur me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

I njohur për vite me radhë si një përfaqësues i hekurt i ligjit, ai tashmë ka shpalosur një dimension krejtësisht të ri duke u rikthyer tek pasioni i tij i hershëm: Letërsia.

Në një diskutim të thellë rreth mpleksjes së krimit me politikën dhe fenomenit të mafies së tokës në studion e emisionit “Drejt” në “Ora Neës” të moderuar nga Luan Rama, Prençi ka rrëfyer se letërsia ka qenë një dashuri e vjetër që nga vitet e shkollës.

Megjithatë, ngarkesa dhe rreziku i detyrave të larta shtetërore e kishin lënë këtë pasion në hije për shumë kohë. Vetëm pas shkëputjes nga stresi i përditshëm i uniformës, ish-drejtuesi i lartë gjeti qetësinë e nevojshme për t'u rikthyer fuqishëm në fushën e botimeve.

Ajo që e bën letërsinë e tij tërheqëse është pikërisht burimi i frymëzimit. Përvoja e gjatë në radhët e policisë nuk ka qenë thjesht një detyrë, por një "thesar i madh" i mbushur me realitete të hidhura, drama të forta shoqërore dhe përballje të përditshme me botën e krimit.

Këto përjetime transformohen sot në subjekte artistike, duke sjellë në vëmendje sakrificat e oficerëve të përkushtuar dhe dilemat e vështira me të cilat përballet shoqëria shqiptare.

Kjo qasje e re letrare është cilësuar edhe si "letërsia e brengave", një pasqyrim i drejtpërdrejtë i realitetit të sotëm, të cilin vetë ish-zyrtari e konsideron si një periudhë me dhimbje të mëdha. Përmes librave të tij, synohet krijimi i një memorieje historike, duke dhënë një kontribut të vyer kulturor dhe social që tejkalon çdo detyrë zyrtare të së shkuarës.

PJESË NGA BISEDA

Luan Rama: Ju prej kohësh jeni njohur si përfaqësues i shtetit me uniformë, deri në detyrën e lartë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërkohë prej vitesh tashmë keni shpalosur një dimension tjetër. Ku e gjeti polici Ahmet Prençi, shkrimtarin Ahmet Prençi?

Nga drejtor i Policisë në shkrimtar, Ahmet Prençi rrëfen

Ahmet Prençi: Në fakt, letërsia ka qenë pasion i imi i hershëm dhe unë kam botuar që në shkollë të mesme, që në fakultet, kam qenë pjesë e gazetës “Studenti” dhe e kam pasur këtë prirje, këtë dëshirë timen për të lexuar letërsi dhe për të shkruar. Por ndërkohë që jam marrë me punë të vështira, siç ju e dini shumë mirë, se keni punuar dhe vetë si ministër i brendshëm, dhe nuk e ke luksin të merresh me letërsi, aq më tepër të shkruash. Por me letërsinë nuk jam shkëputur asnjëherë dhe në momentin që unë u gjeta i qetë, më i relaksuar nga ngarkesat e punës, iu ktheva atij pasioni dhe po përpiqem të jap një kontribut modest.

Luan Rama: Mund të themi policia humbi një oficer të denjë, oficer përfaqësues të vetin, për të fituar letërsia një shkrimtar që sjell në këtë botë, pra në botën e letrave, realitete të përjetuara nga afër po të transformuara në subjekte letrare, në subjekte artistike?

Ahmet Prençi: Unë gjatë kohës së shërbimit në Policinë e Shtetit nuk e kam menduar që do më jepej mundësia që unë të shkruaja. Mirëpo tani e shoh që ajo periudhë mua më ka shërbyer, është një thesar i madh, dhe mua si pjesë e Policisë së Shtetit që kam qenë, meqë e kam këtë pasion, besoj që më takon që sa të mundem të shkruaj sidomos për këto tema, për oficerët e përkushtuar, për krimin, për dramat e mëdha që ndodhin në realitetin tonë të sotëm, ku polici gjithmonë është përballë. Kështu që më lind si detyrim për ta bërë këtë gjë. Dhe po e bëj.

Luan Rama: Është Ahmet Prençi përfaqësues i një letërsie që mund ta quajmë letërsia e brengave?

Ahmet Prençi: Po, mbase. Mbase sepse vetë periudha që po kalojmë është një brengë e madhe. Në qoftë se do të jetonim pas 50 vitesh dhe të mendonim këtë periudhë, është një brengë e madhe edhe për të gjithë shoqërinë. Kështu që letërsia e ka rolin e saj për ta bërë këtë gjë dhe unë po përpiqem ta bëj aq sa mundem në fushën time që e njoh më mirë.

Luan Rama: Është indiferent Ahmet Prençi ndaj asaj që ndodh në pjesën tjetër të realitetit shqiptar?

Ahmet Prençi: Jo nuk jam indiferent, por besoj që unë si qytetar sot mund të jap kontribut më shumë me këtë që po bëj, për t'i dhënë një memorie të asaj çfarë kemi kaluar.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT”

EMISIONET