Kullat e Tiranës dhe investitorët misteriozë/ Meminaj: Askush nuk verifikon miliardat pas kullave 50-katëshe

I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, Bledar Meminaj komentoi zhvillimet në sektorin e ndërtimit dhe debatin mbi investimet strategjike, duke ngritur shqetësime për mungesën e verifikimeve të thelluara mbi investitorët që po ndërtojnë projekte të mëdha në vend.

Sipas Meminajt, kur bëhet fjalë për ndërtime shumëkatëshe dhe investime me vlera të larta, institucionet duhet të kryejnë kontrolle të plota mbi burimin e financimit dhe historikun e investitorëve, përpara se të jepen lejet përkatëse.

"Kur një investitor kërkon të ndërtojë një kullë me 40 apo 50 kate, normalisht shteti duhet të verifikojë burimin e financimit, burimin e të ardhurave dhe legjitimitetin e tyre. Vetëm pas këtyre procedurave mund të formalizohet një leje ndërtimi."-tha avokati.

Meminaj u ndal edhe te mënyra se si janë trajtuar investimet strategjike gjatë viteve të fundit, duke argumentuar se në shumë raste mungon transparenca mbi identitetin dhe aktivitetin e investitorëve që përfshihen në projekte të mëdha.

"Për të paktën një dekadë nuk kemi parë verifikime të plota se kush janë investitorët e huaj apo vendas. Po shfaqen vazhdimisht emra të rinj dhe lindin pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me investitorë realë apo me persona që përdoren si fasadë për interesa të tjera."-u shpreh ai.

Gjatë bisedës, ai foli edhe për problematikat që lidhen me pronësinë e tokës dhe dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas tij, ka pasur raste kur konfliktet për pronat kanë vazhduar edhe pasi janë miratuar projektet, duke krijuar vështirësi për qytetarët që pretendojnë të drejta mbi tokat e tyre.

Meminaj u shpreh se shteti ka në dispozicion të gjitha mekanizmat për të verifikuar individët dhe kompanitë që aplikojnë për projekte të mëdha, ndërsa kërkoi më shumë transparencë dhe kontroll institucional për investimet që po ndryshojnë zhvillimin urban të vendit.

 

EMISIONET