Guterres: Të krijojmë një sistem të mirorganizuar të qeverisjes globale të IA

Antonio Guterres u bëri thirrje sot vendeve të botës të bashkohen për të krijuar një sistem të mirorganizuar të qeverisjes globale të inteligjencës artificiale (IA), duke paralajmëruar se e ardhmja e njerëzimit nuk mund t’i lihet rastësisë përballë zhvillimit të shpejtë të këtyre teknologjive.
Në fjalimin e tij në hapjen e Dialogut të parë Global për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Gjenevë, Guterres tha se zgjedhja nuk është mes besimit të verbër dhe frikës nga IA, por mes një qeverisjeje të menduar dhe të organizuar ose një zhvillimi të pakontrolluar.
Forumi i ri ndërqeveritar, i koordinuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, synon të krijojë një platformë ku shtetet anëtare dhe shoqëria civile të bashkërendojnë rregullat për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Guterres paralajmëroi se sistemet moderne të IA-së tashmë janë në gjendje të shkruajnë kod kompjuterik, të veprojnë në internet dhe të marrin vendime me gjithnjë e më pak mbikëqyrje njerëzore, ndërsa përparojnë më shpejt sesa institucionet që duhet t’i mbikëqyrin.
Sipas tij, institucionet aktuale janë krijuar për të kontrolluar makina që zbatojnë urdhra, jo makina që marrin vendime, duke theksuar se disa kufij, pasi të kapërcehen, nuk mund të rikthehen më.
Ai iu referua edhe fenomenit të njohur si “vibe coding”, që u lejon edhe personave pa njohuri të thella teknike të krijojnë programe me ndihmën e IA-së. Megjithëse e cilësoi atë si një mjet me potencial të madh, Guterres theksoi se e vërteta dhe e ardhmja e njerëzimit nuk mund të ndërtohen mbi improvizim.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së identifikoi tre rreziqe kryesor; ritmin shumë të shpejtë të zhvillimit të inteligjencës artificiale, përqendrimin e kapaciteteve teknologjike në duart e një numri të vogël kompanish dhe shtetesh, si dhe kërcënimin që përmbajtjet e krijuara nga IA paraqesin për integritetin e informacionit dhe besimin e publikut.
Në përfundim, Guterres u bëri thirrje qeverive, sektorit privat dhe komunitetit akademik të bashkëpunojnë për të drejtuar këtë transformim teknologjik, duke theksuar se pyetja kryesore është nëse njerëzimi do ta formësojë vetë inteligjencën artificiale apo do të lejojë që ajo të formësojë të ardhmen e tij.


