Gjermania përballet me krizë të re të banesave/ Qiratë rriten ndjeshëm dhe oferta zvogëlohet

Çmimet e qirave në Gjermani kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit 2026, ndërsa tregu i banesave me qira po përballet me mungesë të theksuar të ofertës.
Sipas një studimi të Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln (IW), qiratë e reja të ofruara në treg gjatë tremujorit të dytë të këtij viti janë rritur me 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe është regjistruar në qytetet e mëdha jashtë metropoleve kryesore, ku çmimet e qirave janë rritur me 4.9 për qind. Ndërkohë, në shtatë qytetet më të mëdha gjermane, mes të cilave Berlini, Hamburgu, Mynihu dhe Frankfurti, rritja ka qenë rreth 2.9 për qind.
Dallimet mes qyteteve janë të mëdha. Në Këln qiratë janë rritur me 7.9 për qind, ndërsa në Hamburg me 5.5 për qind. Në të kundërt, në Berlin rritja ka qenë vetëm 1 për qind, ndërsa në Shtutgart 0.9 për qind.
Ekspertët e IW paralajmërojnë se një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve është tkurrja e ofertës. Numri i banesave të shpallura për qira është ulur me rreth 12 për qind krahasuar me fillimin e vitit 2022.
Në disa qytete situata është edhe më e rëndë. Në Hamburg oferta e banesave me qira është përgjysmuar, ndërsa në Frankfurt numri i njoftimeve ka rënë me 43 për qind.
Sipas ekonomistit të pasurive të paluajtshme, Pekka Sagner, shumë qytetarë po qëndrojnë në banesa që nuk u përshtaten më nevojave të tyre, pasi nuk duan të humbasin kontratat me qira të favorshme.
Ndryshe nga tregu i qirave, çmimet e blerjes së banesave dhe shtëpive kanë shënuar vetëm rritje të lehtë. Në nivel kombëtar, banesat në pronësi dhe shtëpitë familjare janë shtrenjtuar me rreth 0.8 për qind gjatë një viti.
Megjithatë, edhe në tregun e blerjeve dallimet rajonale mbeten të mëdha, me rritje të çmimeve në disa qytete dhe ulje në të tjera./DW



