Fati politik i Le Pen në pikëpyetje! Apeli vendos për ndalimin e kandidimit për poste publike për 5 vjet
Në Francë, e ardhmja politike e Marine Le Pen është në pikëpyetje. Në Paris ka nisur procesi i apelit ndaj vendimit që e ndalon atë të kandidojë për poste publike për pesë vjet. Një vendim që mund ta nxjerrë përfundimisht nga gara presidenciale e vitit 2027. Më shumë në kronikën në vijim!

Fati politik i një prej figurave më të njohura të së djathtës ekstreme franceze po vendoset në Gjykatën e Apelit në Paris.
Marine Le Pen, 57 vjeç, ka nisur betejën ligjore për të rrëzuar vendimin që e ndalon të kandidojë për poste publike për pesë vjet një ndalim që rrezikon ta përjashtojë nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Një vendim që pritet të jepet para verës së këtij viti.
Le Pen u shpall fajtore vitin e kaluar për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian, pasi gjykata konstatoi se ajo dhe drejtues të tjerë të partisë së saj, Tubimi Kombëtar, kishin përdorur fonde të Parlamentit Europian për të paguar staf që punonte për partinë.
Gjykata e dënoi atë me katër vjet burg dy me kusht dhe dy të tjera për t’u vuajtur me mbikëqyrje elektronike si dhe me një gjobë prej 100 mijë eurosh. Por goditja më e rëndë politike ishte ndalimi i menjëhershëm për të kandiduar në poste publike.
Në prag të apelit, presidenti i partisë, Jordan Bardella, e quajti këtë ndalim “thellësisht shqetësues për demokracinë”, duke paralajmëruar se drejtësia nuk duhet të vendosë për fatin e votës së qytetarëve.
Apeli mund të sjellë pesë skenarë: nga shfuqizimi i plotë i vendimit, deri te konfirmimi i tij ose edhe ashpërsimi i dënimit. Vendimi përfundimtar pritet para verës, por pasojat do të ndikojnë drejtpërdrejt në garën presidenciale të vitit 2027.
Ndërkohë, sondazhet sugjerojnë se edhe nëse Le Pen përjashtohet, pasuesi i saj politik, Jordan Bardella, mbetet favorit për të fituar zgjedhjet. Në Paris, kjo nuk është thjesht një çështje gjyqësore, është një betejë që mund të riformësojë të ardhmen politike të Francës.


