Tragjedi në Ugandë/ Mungesa e shiut lë mijëra familje pa ushqim, 16 viktima nga uria

Tragjedi në Ugandë/ Mungesa e shiut lë mijëra familje pa

Një krizë e rëndë ushqimore po godet rajonin verilindor të Karamojës në Ugandë, ku të paktën 16 persona kanë humbur jetën nga uria gjatë javëve të fundit. Thatësira e zgjatur ka shkatërruar të mbjellat dhe ka lënë mijëra familje pa burime ushqimore.

Sipas autoriteteve ugandeze, reshjet e shiut kanë munguar pothuajse plotësisht që nga muaji prill, periudhë që përkon me sezonin e mbjelljeve.

Si pasojë, sipërfaqe të tëra të mbjella me misër, melek (sorghum) dhe sojë janë tharë, duke dëmtuar rëndë prodhimin bujqësor të këtij viti.

Qeveria ka bërë të ditur se situata është alarmante dhe ka nisur shpërndarjen e ndihmave emergjente për familjet më të prekura. Po ashtu, pritet të kërkohet miratimi i fondeve shtesë për blerjen e ndihmave ushqimore që do të dërgohen në zonat e goditura nga thatësira.

Sipas ekspertëve, krizat e përsëritura ushqimore në Karamoja lidhen me mungesën e reshjeve, ndryshimet klimatike, shpyllëzimin, mbikullotjen dhe dëmtuesit që prekin kulturat bujqësore. Ata vlerësojnë se investimet në sisteme vaditëse, kultura më rezistente ndaj thatësirës dhe përmirësimi i parashikimeve klimatike janë të domosdoshme për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Karamoja është përballur edhe më parë me kriza të rënda ushqimore. Në vitin 2022, mbi 2.200 persona humbën jetën nga uria dhe sëmundjet e lidhura me kequshqyerjen, duke e bërë rajonin një nga zonat më të prekura nga pasiguria ushqimore në Ugandë.

EMISIONET