Sulme amerikane në Iran, shtatë ushtarë humbin jetën dhe goditet edhe porti ku ndodhet centrali bërthamor

Sulme amerikane në Iran, shtatë ushtarë humbin jetën dhe

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas një serie sulmesh ajrore amerikane në territorin iranian.

Sipas autoriteteve iraniane, shtatë ushtarë humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa objektiv i sulmeve u bë edhe porti strategjik i Bushehrit, ku ndodhet i vetmi central bërthamor i vendit.

Sulmi më i rëndë u regjistrua në orët e para të 15 korrikut, kur forcat amerikane goditën me 13 raketa një bazë ushtarake pranë qytetit Iranshahr, në juglindje të Iranit.

Nga goditja u shkatërruan disa objekte të bazës, ndërsa ushtria iraniane konfirmoi vdekjen e shtatë ushtarëve dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Pak më vonë, operacioni ushtarak u shtri edhe në Bushehr. Sipas autoriteteve lokale, u goditën tre pika në zonën e portit, ku ndodhet edhe centrali bërthamor i Iranit. Nga ky sulm nuk u raportuan viktima, ndërsa nuk është bërë ende e ditur shkalla e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë.

Pas sulmeve, drejtuesit ushtarakë iranianë paralajmëruan se do të ketë një kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane, ndërsa Teherani i cilësoi goditjet si shkelje të marrëveshjeve të arritura për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

EMISIONET