VIDEO/ Koncerti i Kanye West, Rama reagon sërish: Ngjarja u bë një furi ndasie dhe marrëzie kundër një projekti

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes rrjeteve sociale lidhur me koncertin e mbrëmjes së djeshme të artistit amerikan Kanye West në Tiranë.
Sipas tij, eventi pati ndikim pozitiv në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe në ekonominë e kryeqytetit.
Rama e përshkruan koncertin si një "mbrëmje magjike", duke shkruar se në Tiranë u mblodhën qytetarë nga 80 kombësi të ndryshme.
“KONCERTI MAGJIK dhe varfëria e aspiratave”, e titullon Rama reagimin e tij.
Rama tha se ngjarja u bë motiv ndasie shumë e egër, ku sipas tij “një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti”.
“Ngjarja u bë një motiv ndasie shumë të egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti.
U bë një jetë që sa herë jam përpjekur të bëj diçka të bukur, kam dëgjuar të njëjtin refren, populli s’ka bukë, s’na duhen fasadat, pensionistët po vdesin, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Pas klithmës së kundërshtisë fillojnë llogaritë absurde, me kaq lek do të merrte kaq ky, kaq ai, e me radhë.
Në pamje të parë kjo qasje duket sikur ha debat, dhe demagogët që mbushin pasqyrat e kanaleve socialeve, çeret e verosura për popullin, duket sikur po thonë diçka që bën sens, por në të vërtetë përtej hipokrizisë së tyre, që është marramendëse ky është një keqkuptim themelor për mënyrën se si zhvillohet një vend dhe rritet një ekonomi.
Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe, që në ndarjen më pas të ketë më shumë për të gjithë”, tha Rama.
VIDEO-REAGIMI I PLOTE I KRYEMINISYTRIT EDI RAMA


