BM-BE sanksione të përbashkëta ndaj “kriminelëve kibernetikë” të lidhur me Rusinë

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të përbashkëta ndaj disa hakerëve të dyshuar se kanë lidhje me Rusinë, ndërsa shërbimi britanik i sigurisë kibernetike, u ka bërë thirrje sektorëve kritikë, të forcojnë mbrojtjen online ndaj kërcënimeve që vijnë nga Moska.
Në listën e sanksioneve të vendosura nga Ministria e Jashtme britanike janë përfshirë 24 individë dhe subjekte, të akuzuar se qëndrojnë pas operacioneve “shkatërruese”, përfshirë rrjete ndërmjetëse të lidhura me shërbimet ruse të inteligjencës.
Bashkimi Evropian njoftoi se ka vendosur masa kufizuese ndaj nëntë individëve dhe katër subjekteve, përfshirë oficerë të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), të ashtuquajtur “haktivistë” dhe kriminelë kibernetikë. BE-ja tha se masat u koordinuan në bashkëpunim të ngushtë me Britaninë e Madhe.
Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, si vendet anëtare të BE-së ashtu edhe Britania e Madhe, kanë akuzuar Rusinë për sulm kibernetik ndaj rrjetit energjetik të Polonisë gjatë dimrit, duke ia atribuar atë njësisë së inteligjencës kibernetike të shërbimit rus të sigurisë FSB, “Qendra 16”.
Ndër personat dhe subjektet e sanksionuara nga Britania e Madhe, janë edhe zyrtarët e lartë të GRU-së, Vyacheslav Stafeyev, Ivan Senin dhe Ivan Kasyanenko, të cilët, sipas autoriteteve britanike, kanë drejtuar operacione kibernetike dhe kërcënime hibride të agjencisë.
Vendimi vjen në një kohë kur, Qendra Kombëtare britanike për Sigurinë Kibernetike (NCSC) publikoi një udhëzim të ri mbi metodat e përdorura nga aktorët e lidhur me FSB-në, të cilët shfrytëzojnë dobësi në pajisjet e rrjetit dhe synojnë në mënyrë oportuniste, infrastrukturat kritike kombëtare.
Sipas NCSC-së, “Qendra 16” është vërejtur duke skanuar internetin për pajisje, që ende përdorin fjalëkalime standarde ose të dobëta për protokollin e menaxhimit të rrjetit SNMP.
Aktorët kibernetikë kanë shfrytëzuar gjithashtu, dobësi të njohura në pajisjet Cisco, veçorinë Smart Install (SMI) të Cisco-s dhe probleme në portalet online për të marrë kontrollin e pajisjeve të rrjetit.
Sektorë me rrezik të lartë, si komunikacioni, mbrojtja, energjia, shërbimet financiare, qeverisja dhe shëndetësia, janë këshilluar të marrin masa mbrojtëse, përfshirë përdorimin e versionit më të sigurt të protokollit SNMP (SNMPv3) dhe çaktivizimin e versioneve të vjetra.
Duke njoftuar sot paketën e sanksioneve, ministrja e Jashtme britanike Yvette Cooper deklaroi se këto masa godasin thelbin e rrjeteve kriminale kibernetike, që mbështesin agresionin e shtetit rus.
“Rusia nuk mund të fshihet pas përdorimit të këtyre grupeve ndërmjetëse. Nga drejtimi i kriminelëve deri te sulmet ndaj bizneseve dhe goditja e rrjetit energjetik të Polonisë në mes të dimrit, shteti rus po përpiqet të dobësojë sigurinë evropiane”, tha Cooper.
Ajo shtoi se Britania e Madhe, së bashku me partnerët e saj, do të vazhdojë të denoncojë këto veprime, të forcojë mbrojtjen dhe të përballet me kërcënimet hibride të Rusisë, duke theksuar se kjo nuk do ta pengojë mbështetjen për Ukrainën.


