KRIZA EKONOMIKE/ “Volkswagen” shkurton deri në 50 mijë vende pune për të ulur kostot

KRIZA EKONOMIKE/ “Volkswagen” shkurton deri në 50 mijë

Drejtori ekzekutiv i kompanisë gjermane “Volkswagen”, Oliver Blume, ka paralajmëruar se deri në 50,000 vende pune, në mbarë botën mund të preken nga shkurtime të mundshme, në kuadër të përpjekjeve për ta bërë kompaninë më konkurruese.

Deklarata vjen pas pakënaqësisë së punonjësve dhe sindikatave, ndërsa më herët mediet gjermane raportuan se mund të rrezikoheshin mbi 100,000 vende pune.

Punonjësit dhe sindikata e fuqishme gjermane “IG Metall” zhvilluan protesta, ndërsa përfaqësuesit e punonjësve kundërshtuan planet e mundshme për uljen e kostove.

Blume shpjegoi se shifra prej 50,000 vendesh pune, lidhet me planin për të reduktuar shpenzimet administrative dhe kostot e funksionimit të kompanisë.

Sipas tij, kostot e “Volkswagen” janë aktualisht rreth 20% më të larta se mesatarja e konkurrentëve.

Ai tha se kjo shifër është vetëm një llogaritje teorike, duke supozuar se kostot e pagave nuk do të ndryshojnë.

Vlerësimi përfundimtar se cilat vende pune mund të preken ende nuk është vendosur.

Kompania po analizon të gjitha markat, degët dhe tregjet ku operon për të përcaktuar se ku janë të nevojshme ndryshimet.

Blume theksoi gjithashtu se, kostot e personelit nuk varen vetëm nga numri i punonjësve, por edhe nga niveli i pagave dhe shpenzimeve të punës, duke lënë të kuptohet se mund të ketë edhe masa të tjera për uljen e kostove.

EMISIONET