Beteja për metalet e rralla: Projekti ‘Calderia’ dhe ambicia e Brazilit për të thyer dominimin kinez

Brazili po hyn në një fazë të re të shfrytëzimit të pasurive natyrore, duke zhvendosur fokusin nga burimet tradicionale si ari, kafeja dhe goma, drejt një pasurie shumë më strategjike për të ardhmen: metalet e rralla të tokës.
Këto metale janë thelbësore për zhvillimin e teknologjive moderne, përfshirë inteligjencën artificiale, turbinat me erë dhe automjetet elektrike. Për këtë arsye, ato shpesh cilësohen si “ari i epokës së re industriale”.
Sipas gjeologut Andrew Tunks, drejtor ekzekutiv i kompanisë minerare australiane Meteoric Resources, e ardhmja e industrisë së metaleve të rralla mund të lidhet ngushtë me Brazilin. “Projektet e mëdha të së ardhmes për metalet e rralla do të jenë në Brazil. Nuk e di se sa kohë do të duhet, por në një moment Brazili do të konkurrojë me Kinën”, është shprehur ai në një intervistë për DW.
Një nga projektet më ambicioze është ai i quajtur “Calderia”, në shtetin Minas Gerais. Ky projekt synon të zhvillojë atë që mund të bëhet depozita më e madhe në botë e argjilës jonike – një burim kyç për nxjerrjen e metaleve të rralla “mesatare” dhe “të rënda”, si disprosiumi dhe terbiumi.
Këto elemente janë të domosdoshme për prodhimin e magneteve me performancë të lartë, të cilët përdoren në teknologjitë e energjisë së rinovueshme dhe në sektorin e mobilitetit elektrik.
Nëse projektet zhvillohen sipas planeve, Brazili mund të shndërrohet në një nga lojtarët kryesorë globalë në këtë sektor strategjik, duke sfiduar dominimin aktual të Kinës dhe duke riformësuar tregun ndërkombëtar të burimeve kritike.


