Al-Hilal përgatit ofertën rekord për Luis Díaz/ Mund të bëhet transferimi më i shtrenjtë në historinë e Ligës Saudite

Luis Díaz mund të jetë protagonisti i një prej transferimeve më të bujshme në historinë e futbollit saudit, pasi Al-Hilal e ka vendosur sulmuesin e Bayern Munichut si objektivin kryesor të merkatos së verës.
Klubi nga Arabia Saudite po përgatit një ofertë rekord për futbollistin kolumbian, të cilin e sheh si përforcimin ideal për repartin ofensiv.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Al-Hilal synon fillimisht të arrijë marrëveshje me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, përpara se të nisë negociatat zyrtare me Bayernin për kartonin e tij.
Në këtë proces raportohet se rol të rëndësishëm mund të ketë edhe Richard Hughes, aktualisht drejtor sportiv i Liverpoolit, i cili pritet të marrë një detyrë të ngjashme te Al-Hilal pas përfundimit të afatit kalimtar.
Al-Hilal është gati t’i ofrojë Luis Díaz një pagë vjetore prej rreth 25 milionë eurosh, në përpjekje për ta bindur sulmuesin të transferohet në Arabinë Saudite.
Nëse lojtari pranon kushtet personale, klubi saudit pritet të paraqesë një ofertë për Bayernin që mund të arrijë nga 120 deri në 150 milionë dollarë.
Në rast realizimi të marrëveshjes me këto shifra, Luis Díaz do të bëhej transferimi më i shtrenjtë në historinë e Ligës Saudite.
Rekordi aktual mbahet nga Neymar, për të cilin Al-Hilal pagoi rreth 90 milionë euro te Paris Saint-Germain në vitin 2023.
Al-Hilal ka në dispozicion një buxhet prej rreth 350 milionë dollarësh për përforcime gjatë kësaj vere, duke treguar ambiciet e mëdha të klubit.
Skuadra saudite tashmë ka realizuar disa afrime, ndërsa po punon për të forcuar më tej ekipin. Përveç transferimit të mundshëm të Crysencio Summerville nga West Ham, klubi ka afruar edhe disa lojtarë të tjerë për të rritur konkurrencën në skuadër.
Një marrëveshje me Luis Díaz do të ishte një tjetër goditje e madhe e futbollit saudit në tregun ndërkombëtar.


