ARMENI/ Partia e kryeministrit Pashinyan fiton zgjedhjet parlamentare

ARMENI/ Partia e kryeministrit Pashinyan fiton zgjedhjet parlamentare

Partia në pushtet e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Armeni, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara pas votimit të djeshëm.

Fitorja i jep Pashinyanit një mandat të ri për të vazhduar orientimin pro-perëndimor të vendit, pavarësisht tensioneve në rritje me Rusinë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se partia Kontrata Civile e Pashinyanit siguroi 49,8% të votave, duke fituar 61 nga 105 vendet në Asamblenë Kombëtare. Në vendin e dytë u rendit partia pro-ruse  Armenia e Fortë, e drejtuar nga miliarderi Samvel Karapetyan, me 23,3% të votave.

Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 59%, dukshëm më e lartë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ish-presidenti Robert Kocharyan u rendit i treti me aleancën e tij politike, duke siguruar pak më pak se 10% të votave. Edhe partia pro-ruse Armenia e Begatë arriti të hyjë në parlament me 4% të votave, por forcat pro-Moskës nuk arritën të siguronin shumicën.

Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të tensionuar politike dhe sigurie. Gjatë ditëve para votimit u raportuan arrestime, kërcënime me bombë dhe akuza të ndërsjella mes qeverisë dhe opozitës. Karapetyan deklaroi se më shumë se 100 mbështetës të tij ishin ndaluar nga autoritetet, ndërsa vetë ai ndodhet prej muajsh në arrest shtëpie nën akuza për tentativë grushti shteti, të lidhura me trazirat e mëparshme në vend.

Ministria e Brendshme e Armenisë justifikoi arrestimet me dyshime për blerje votash. Në qytetin e Gyumrit, policia kontrolloi zyrat e partisë Armenia e Fortë, ndërsa tre anëtarë të një komisioni lokal zgjedhor u ndaluan gjatë natës. Autoritetet reaguan gjithashtu ndaj disa kërcënimeve anonime për bomba, të cilat rezultuan të rreme.

Marrëdhëniet me Rusnia ishin tema kryesore e fushatës zgjedhore. Tensionet mes Jerevanit dhe Moskës janë përshkallëzuar muajt e fundit për shkak të përpjekjeve të Armenisë për t’u afruar me BAshkimin Evropian. Rusia ka vendosur kufizime ndaj importeve të disa produkteve armene dhe ka kërcënuar të ndërpresë kontratën preferenciale të furnizimit me gaz.

Një tjetër çështje qendrore e fushatës ishte procesi i paqes me Azerbaijan. Pashinyani po punon për një marrëveshje paqeje me Bakunë, tre vjet pasi Armenia humbi konfliktin për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh. Opozita e akuzon kryeministrin se ka tradhtuar interesat kombëtare, ndërsa ai argumenton se normalizimi i marrëdhënieve me Azerbajxhanin është thelbësor për stabilitetin afatgjatë të vendit.

Pashinyani ka marrë gjithashtu mbështetje nga administrata amerikane e Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një vizitë në Jerevan për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalësh, duke sinjalizuar afrimin e mëtejshëm të Armenisë me Perëndimin.

Rezultati i zgjedhjeve konsiderohet një fitore e rëndësishme për Pashinyanin dhe kursin e tij pro-evropian, por gjithashtu tregon se ndarjet politike dhe gjeopolitike në Armeni mbeten të thella.

EMISIONET