KRYQI I GAUDÍ, MBI BARCELONË! Kryqi i Sagrada Familia përfundon kullën kryesore pas 144 vitesh

Pas 144 vitesh ndërtim, bazilika ikonike Sagrada Família në Barcelonë ka arritur lartësinë e saj përfundimtare me vendosjen e kryqit monumental mbi Kullën e Jezu Krishtit. Kryqi monumental që kurorëzon kullën është sa një ndërtesë pesëkatëshe dhe peshon rreth 100 ton.

Të gjithë që vizitojnë Sagrada Famílian në Barcelonë kanë të njëjtin reagim: ngrenë sytë drejt qiellit. Sot, ata shohin më lart se kurrë më parë.

Pas 144 vitesh ndërtim, bazilika më e famshme e Spanjës ka arritur lartësinë e saj përfundimtare me vendosjen e kryqit në majë të Kullës së Jezu Krishtit.

Kulla qendrore, e fundit nga 18 kullat e planifikuara nga Antoni Gaudí, përfaqëson kulmin e një projekti që ka sfiduar kohën, luftërat dhe vështirësitë financiare.

Inaugurimi i saj përkon me 100-vjetorin e vdekjes së arkitektit vizionar katalanas, i cili nuk arriti ta shohë kurrë të përfunduar veprën e jetës së tij.

Kryqi monumental që kurorëzon kullën është sa një ndërtesë pesëkatëshe dhe peshon rreth 100 ton.

Ai u prodhua në Gjermani, u transportua në 14 pjesë drejt Spanjës dhe më pas u montua me kujdes në lartësi mbi 170 metra. Arkitektët thonë se synimi ishte të respektohej sa më besnikërisht vizioni origjinal i Gaudít, duke përdorur njëkohësisht teknologjitë moderne të ndërtimit.

Megjithatë, historia e Sagrada Famílias nuk ka përfunduar ende. Lufta Civile Spanjolle shkatërroi një pjesë të madhe të planeve dhe modeleve të Gaudít, ndërsa pandemia e Covid-19 goditi financat e projektit, i cili mbështetet kryesisht te donacionet dhe biletat e vizitorëve.

Edhe pse kulla kryesore është tashmë realitet, punimet do të vazhdojnë në disa pjesë të bazilikës, përfshirë Fasadën e Lavdisë, një projekt që ka shkaktuar debat me banorët e zonës për shkak të planeve që mund të prekin ndërtesat përreth.

Pavarësisht polemikave, për miliona vizitorë nga e gjithë bota, përfundimi i kullës qendrore shënon një moment historik. Pas më shumë se një shekulli, ëndrra e Antoni Gaudít është më pranë realizimit se kurrë më parë.

EMISIONET