Kalendari artistik i javës, nga performancat izraelite te kolonia e piktorëve në Himarë

Disa prej aktiviteteve më të rëndësishme të kësaj jave sa i përket artit e kulturës, janë ato të Javës Kulturore Izraelite, e cila do të zhvillohet në datat 9-11 qershor.
E njohur për energjinë krijuese dhe diversitetin e saj kulturor, skena artistike izraelite ndërthur traditën me inovacionin, duke ofruar përvoja unike që frymëzojnë dialogun dhe mirëkuptimin ndërkulturor.
Aktiviteti i parë i kësaj jave është koncerti i artistit izraelit Hillel, një eksperiencë muzikore që fton publikun në një udhëtim ndryshe, mes energjisë së ritmit dhe thellësisë shpirtërore. Aktiviteti do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Po në 9 qershor, pasdite, do të ketë një shfaqje për fëmijë, “The wish”, në Teatrin e Kukullave nga Einel Gury and Yaron Sancho Goshen.
E njëjta shfaqje do të jepet në datën 10 qershor, në Spitalin Pediatrik të Tiranës.
Në datën 11 qershor, do të vihet në skenën e Teatrit Eksperimental shfaqja “BIRDWOMAN”, një performancë bashkëkohore nga Miriam Engel, e cila është një koreografe, valltare dhe aktore me mbi 20 vite përvojë krijuese në Izrael, Evropë, SHBA, Afrikë dhe Lindjen e Largët.
Një aktivitet që vjen që nga java e kaluar dhe vijon edhe sot është UNUM Festival.
Ndërkohë në Himarë, sot nis sot kolonia e piktorëve Himart 2026 e cila do të zhvillohet deri më 10 qershor.
Në qytetin e Durrësit, prej 8-12 qershor do të zhvillohet Durrës Music Festival, me pjesëmarrjen e 150 konkurrentëve nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha, Lushnja, Kosova, etj.
Regjisorja Andia Xhunga sjell në ArTurbina komedinë “Klinika e bukurisë” në datat 8, 9, 10 dhe 11 qershor.
Data 10 qershor rezervon takimin me akademik Stefan Çapalikun dhe shkrimtarin Visar Zhiti, në një aktivitet në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave, në kuadrin e veprimtarive të Forum 26.
Ndërkohë komediania e njohur Elena Gabrielle vjen në Tiranë me humorin e saj, ditën e mërkurë në Qendrën e Artit Agimi.
Në Shkodër vijnë “Tingujt e Kujtesës 2026”, në Zall të Kirit, në 11 qershor. “Tingujt e Kujtesës” është një dedikim për viktimat e komunizmit. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Kjo jave shënon dhe rikthimin e aktivitetit Kinemaja Shëtitëse, gjatë të cilit filma, artistë dhe këngëtarë të njohur përcjellin emocione në qytete të ndryshme të vendit.


