Kur respekti mungon, protesta bëhet detyrë qytetare

Prej ditësh, rrugët dhe sheshet e Tiranës janë mbushur me protestues e po shfaqet një protestë, që shumëkush përpiqet ta interpretojë sipas interesit të vet. Disa e quajnë protestë politike. Të tjerë përpiqen ta zvogëlojnë si pakënaqësi e momentit. Ka edhe nga ata që po përpiqen ta përvetësojnë si kapital për karrierën e tyre të radhës.
Përtej etiketimeve, ka një të vërtetë që nuk mund të fshihet:
Asnjë protestë nuk lind nga dëshira e qytetarëve për të lënë familjet, punën dhe jetën e tyre të përditshme.
Protestat lindin kur njerëzit ndjejnë se nuk po dëgjohen më.
Kur ndiejnë se respekti ndaj tyre është zëvendësuar nga përjashtimi, distanca dhe arroganca institucionale. Kur shohin se vendimmarrja largohet nga interesat e tyre, por gjithnjë e më shumë realizohet nga logjika e një pushteti të mbyllur.
Një shtet nuk rrëzohet kur qytetarët protestojnë; ai rrëzohet kur pushon së dëgjuari qytetarët e tij.
Prandaj nuk jam në këtë protestë për të mbrojtur një forcë politike dhe as për të rrëzuar një tjetër.
Nuk jam këtu për pushtetin, por për respektin.
Nuk jam këtu për ideologji. Jam këtu për diçka shumë më themelore:
- Për Të Drejtën e Njeriut të Ndershëm që të Trajtohet Me Dinjitet dhe Respekt.
Nuk jam protestuese profesionale. Nuk jam pjesë e asnjë organizimi politik. Jam një qytetare që prej dekadash studion dhe mëson të tjerët mbi organizimin, qeverisjen dhe përgjegjësinë publike. Pikërisht për këtë arsye, heshtja bëhet e pamundur kur respekti ndaj qytetarit zëvendësohet nga shpërfillja.
Për vite me radhë kemi dëgjuar premtime, janë mbajtur fjalime, janë zhvilluar zgjedhje dhe janë përsëritur premtime. Ndërkohë, shumica kanë parë dhe përjetuar një realitet krejt tjetër: puna ju është zhvlerësuar, mundësitë ngushtuar dhe dinjiteti është trajtuar si diçka pa rëndësi.
Problemi nuk qëndron vetëm tek kush qeveris apo ka qeverisur.
Problemi qëndron tek kultura e krijuar, ku pushteti është perceptuar dhe përdorur si privilegj dhe jo si përgjegjësi publike.
Një kulturë ku karriera, është bazuar tek bindja dhe jo merita dhe integriteti personal.
Ku heshtja është shpërblyer më shumë se e vërteta.
Ku ‘bindja’ është blerë me bukën e përditshme, me presione dhe me pasiguri.
Ku besimi i qytetarëve kërkohet vetëm gjatë zgjedhjeve dhe më pas harrohet menjëherë pas tyre.
Ku qytetarit po i imponohej të mos dëgjuarit dhe demokracia po fliste me zë të rremë.
Prandaj kjo protestë ka një kuptim më të madh se çdo emër, parti apo mandat.
Ajo është dëshmi e asaj të vërtete se shteti nuk është pronë e askujt.
Se institucionet nuk ekzistojnë për t’u shërbyer grupeve të privilegjuara.
Se pushteti nuk është e drejtë e pakufizuar apo e përhershme.
Dhe se qytetarët nuk janë spektatorë në vendin e tyre.
Shumë njerëz pyesin: çfarë kërkon kjo protestë?
Përgjigjja ime është e thjeshtë.
KËRKON RESPEKT
Respekt për punën.
Respekt për ligjin.
Respekt për meritën.
Respekt për të vërtetën.
Respekt për qytetarin që paguan, që punon, që ndërton, që rrit fëmijët e tij dhe që nuk kërkon privilegje, por vetëm trajtim dinjitoz.
Një shoqëri mund të përballojë varfëri të përkohshme. Mund të përballojë vështirësi, - POR – nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi përçmimin e qytetarëve të ndershëm.
Prandaj zëri që dëgjohet sot nuk është vetëm zëri i një proteste.
Është kërkesa e një shoqërie për t’u trajtuar me respekt në vendin e vet.


