Një lajthitje përtej gjuhës: Gazetarët “vrasin” efektivin e policisë!…

Një ngjarje e rëndë kriminale, në të cilën mbeti i vrarë një punonjës i Policisë së Shtetit dhe u plagos një tjetër, krejt padashur na shpërfaqi edhe një dukuri që meriton vëmendje.
Sepse, na shfaqet e rishfaqet si dëshmi injorance gjuhësore e pashpjeguar prej atyre që më shumë se të tjerët duhet të dëshmojnë se e zotërojnë kulturën e gjuhës: gazetarët.
Përtej peshës së rëndë të vetë ngjarjes, pothuaj të gjithë gazetarët që e raportuan atë, thanë të njejtën fjali: “u vra efektivi i policisë Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur efektivi tjetër Edison Adri!”.
Nëse i referohemi kuptimit leksikor të fjalëve të përdorura, gjendemi përpara një paradoksi: ndërsa krimineli vrau një punonjës të policisë dhe plagosi një tjetër, kolegët gazetarë me gjuhën e tyre kanë “vrarë” efektivin.
Në pamje të parë, mund të duket si një hollësi e parëndësishme. Por kultura e gjuhës ndërtohet pikërisht mbi hollësi të tilla. Fjalët nuk janë thjesht mjete për të mbushur fjalitë; ato mbartin kuptime të caktuara dhe, kur përdoren pa kujdes, mund të deformojnë vetë mesazhin që synojnë të përcjellin.
Ne gjuhën shqipe fjala “efektiv” ka kuptimin e numrit të përgjithshëm të ushtarëve a ushtarakëve të një reparti, të një nënreparti, të një njësie ushtarake a të ushtrisë së një shteti. Për rrjedhojë, me efektiv kuptojmë edhe numrin e punonjësve të policisë në një njësi, në një repart policie, në një komisariat, në një drejtori ose të të gjithë Policisë së Shtetit.
Në të gjitha këto raste, fjala “efektiv” i referohet një tërësie njerëzish dhe jo një individi të veçantë.
Themi, për shembull, se “efektivi i komisariatit përbëhet nga 120 punonjës”, ose se “u shtua efektivi i forcave të rendit edhe me 10 punonjës të tjerë policie”.
Por, nuk mund të themi “120 efektivë përbëjnë komisariatin e policisë” apo “ u shtua numri i forcave të rendit edhe me 10 efektivë të tjerë”.
Pra, me fjalën “efektiv”, në asnjërin rast nuk kemi parasysh një person të vetëm.
Ndaj, nuk mund të thuhet “u vra efektivi i policisë”, por “u vra punonjësi i policisë”.
Natyrisht, gjuhët nuk janë sisteme të ngrira. Ato ndryshojnë vazhdimisht. Fjalët fitojnë kuptime të reja, humbin kuptime të vjetra dhe përshtaten me nevojat e komunikimit.
Ky është një proces i njohur në evolucionin e gjuhës.
Gazetaria nuk është vetëm raportim faktesh. Ajo është edhe kulturë e shprehjes. Gazetari nuk informon vetëm për atë që ka ndodhur; ai ofron çdo ditë modele të komunikimit publik. Për këtë arsye, përgjegjësia e tij nuk mbaron te vërtetësia e lajmit, por shtrihet edhe te saktësia e gjuhës me të cilën e përcjell atë.
Por çështja nuk qëndron te keqkuptimi i mundshëm; ajo qëndron te marrëdhënia që kemi me gjuhën.
Shqipja standarde dallon qartë midis emrave kolektivë (efektiv, kolektiv, personel, staf, klasë, popullsi, ekipazh) dhe emrave individualë (punonjës, polic, ushtarak, nxënës, anëtar).
Prandaj sintagma “një efektiv” krijon një konflikt semantik, sepse po i vendoset nyja e njëjësit një emri që në shqip emërton një grup ose një sasi personash.
Është e vërtetë se gjuhët evoluojnë vazhdimisht dhe se përdorimi i dendur mund të çojë në lindjen e kuptimeve të reja. Megjithatë, derisa një zgjerim semantik të pranohet dhe të kodifikohet nga norma, komunikimi publik duhet të mbështetet te format e konsoliduara të standardit.
Në rastin konkret, formulime si “punonjësi i policisë”, “polici”, “oficeri i policisë” ose “anëtari i efektivit të policisë” mbeten më të sakta nga pikëpamja normativo-semantike.
Respektimi i normës gjuhësore nuk është një çështje formalizmi; ai është pjesë e përgjegjësisë profesionale të komunikimit publik.


