Maliqi: Hajdari i Kuçovës i dënuar nga SPAK dhe nën hetim për 11 kallëzime të tjera, vazhdon cirku i mbrojtjes oligarkike
Një vendim i papritur i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka ngjallur reagime të forta, duke e rikthyer çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, sërish në duart e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Me një votim unanim 5 me 0, KAS shmangu marrjen e një vendimi përfundimtar, një veprim që po denoncohet hapur si një manovër e pastër politike dhe blerje kohe për të mbrojtur interesat korruptive.
Pas përfundimit të seancës, Lefter Maliqi, ish-kandidat për kryebashkiak të Kuçovës, reagoi ashpër kundër asaj që ai e cilëson si një "mbrojtje oligarkike".
Situata paraqitet e paprecedentë, pasi pretendohet se është i vetmi rast në Shqipëri ku subjekti i ligjit të dekriminalizimit zvarritet qëllimisht nëpër dyert e institucioneve të drejtësisë si SPAK dhe Gjykatat Administrative.
Historiku i dekriminalizimit në vend tregon se fshehja e të dhënave në formular u ka kushtuar postin emrave të njohur si Valdrin Pjetri, Elvis Rroshi apo Agim Kajmaku.
Ndërkohë, pavarësisht dënimeve të mëparshme dhe rreth 11 kallëzimeve të reja në SPAK, kryebashkiaku aktual vazhdon të ushtrojë detyrën, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e shtetit të së drejtës.
DEKLARATA E LEFTER MALIQIT
Sot KAS-i pasi shqyrtoi në themel çështjen, ia riktheu Komisionerit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë vendim. Unë e kam thënë dhe e them që kjo është thjesht një blerje kohe, një manovër politike me mbrojtje oligarkike edhe politike.
Rasti i vetëm në Shqipëri që mbahet zvarrë sa në një institucion në një institucion, sa në SPAK, në Gjykatën e Lartë, Gjykatat Administrative, KAS, e me radhë. Është për t'u habitur, nuk ka asnjë rast të vetëm në të gjithë Shqipërinë në bazë të ligjit të dekriminalizimit ku një kandidat për kryetar bashkie apo për deputet, i cili ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pavarësisht masës së dënimit, që të ketë ushtruar detyrën.
Të gjithë rastet e fundit kanë qenë Kajmaku, Valdrin Pjetri, Rroshi e shumë këshilltarë e kandidatë për kryetarë bashkie e të tjerë gjë që mediat i kishin e i dini.
KAS-i vendosi në mënyrë unanime 5 me 0 rikthimin për vendim te Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e di nëse Gjykata Administrative mund të bëjë ndonjë pasiguri, padije, por unë dua t'ju them të gjithëve që unë thjesht po bëj betejën morale dhe ligjore se e di shumë mirë që ligji apo oligarkia po e mbron atë Hajdarin e famshëm për shkak të interesave korruptive.
Por unë moralisht po vazhdoj betejën edhe me kallëzimet në SPAK, për të drejtën, në mënyrë që ky kryebashkiak abuzues, nën hetim nga SPAK, i dënuar nga SPAK dhe nën hetim për 11 kallëzime të tjera që unë kam bërë, vazhdon cirku i mbrojtjes oligarkike dhe politike sepse prandaj jemi në këtë gjendje sot, ku të rinjtë kanë marrë në dorë fatet e vendit për të rrëzuar këtë narkoshtet që nuk njeh as ligj, as drejtësi, as pronë, asgjë. Faleminderit.


