Tregu i pasurive të paluajtshme, BSH: 61% e blerjeve me kredi bankare

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025 ka shfaqur përmirësim të treguesve të shitjeve dhe një rritje të rolit të financimit bankar, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Sa i takon shitjeve të pronave të paluajtshme, sipas raportit, përgjigjet më pozitive janë raportuar në zonën e kryeqytetit. Ku mesatarisht, çdo subjekt ka shitur rreth 8 prona.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, 37% e pronave të shitura janë në zonat më të preferuara urbane, 31% në periferi dhe 32% jashtë qyteteve, duke reflektuar një zhvendosje graduale të kërkesës drejt zonave më periferike.
Koha mesatare e shitjes së banesave është përmirësuar në 9,1 muaj në rang vendi, ndërsa në Tiranë ka rënë ndjeshëm në 8,1 muaj. Në zonat bregdetare është rritur në 9,9 muaj, ndërsa në zonat e tjera është ulur në 10,1 muaj.
Numri i pronave të pashitura vijon të bjerë, me një balancë neto pozitive prej 29%, duke treguar një përmirësim të vazhdueshëm të likuiditetit të tregut që prej vitit 2016.
Në aspektin e çmimeve, 46% e transaksioneve janë realizuar me çmim të njëjtë ose deri në 5% më të ulët se çmimi i kërkuar, ndërsa pjesa tjetër me ulje më të theksuara.
Sipas të dhënave, rreth 61% e pronave të banimit dhe atyre tregtare janë blerë përmes kredive bankare, ndërsa në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës, duke konfirmuar rolin e rëndësishëm të financimit bankar në treg.


