Masa shëndetësore para Kupës së Botës 2026! Miliona tifozë priten të udhëtojnë gjatë turneut ndërkombëtar!Fruthi mbetet ndër shqetësimet kryesore
Gjatë Kupës së Botës 2026, ekspertët amerikanë do të monitorojnë ujërat e zeza dhe të dhënat online për të zbuluar herët shpërthimet e sëmundjeve infektive. Kjo nismë synon të mbrojë shëndetin publik gjatë një prej ngjarjeve më të mëdha sportive si Kupa e Botës 2026.

Autoritetet shëndetësore në SHBA po përgatiten për një monitorim të gjerë epidemiologjik gjatë Kupës së Botës 2026, me synimin për të zbuluar sa më herët shpërthimet e mundshme të sëmundjeve infektive.
Turneu 39-ditor nis këtë javë në Meksikë dhe pritet të tërheqë mbi 6.5 milionë tifozë nga më shumë se 100 vende të botës.
Ndeshjet do të zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke e bërë këtë një nga ngjarjet sportive më të mëdha të organizuara ndonjëherë në Amerikën e Veriut.
Për shkak të fluksit të madh të udhëtarëve, ekspertët paralajmërojnë se rreziku për përhapjen e sëmundjeve infektive rritet ndjeshëm.
Për këtë arsye, një ekip i ri epidemiologësh me bazë në Uashington do të monitorojë jo vetëm ujërat e zeza, por edhe rrjetet sociale dhe burime të tjera të të dhënave shëndetësore për të identifikuar shenja të hershme të shpërthimeve.
Përmes teknologjive të avancuara të sekuencimit të ADN-së dhe ARN-së, shkencëtarët mund të identifikojnë gjurmë gjenetike të viruseve dhe baktereve pa pasur nevojë për analiza tradicionale laboratorike.
Sipas drejtueses së projektit, Rebeça Katz, kjo metodë mund të japë sinjale të hershme për një shpërthim të mundshëm, duke u dhënë kohë institucioneve shëndetësore të paralajmërojnë mjekët dhe publikun.
Megjithëse Ebola vazhdon të jetë shqetësim në disa pjesë të Afrikës, ekspertët vlerësojnë se rreziku për popullsinë e Amerikës së Veriut mbetet i ulët.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet fruthit, pasi numri i rasteve në SHBA këtë vit po i afrohet rekordit historik, me rreth 2 mijë raste të raportuara deri tani. Ndërkohë, raste të shtuara janë regjistruar edhe në pjesë të Kanadasë dhe Meksikës.
Organizatorët thonë se kjo nismë do të shërbejë edhe si provë për ngjarje të tjera të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike Verore të vitit 2028 në Los Anxhelos.


