Bojkot masiv i zgjedhjeve në Kosovë/ Hoti: Qytetarët dhanë një mesazh për gjithë klasën politike

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë e kanë rikonfirmuar forcën kryesore politike, por kanë shënuar një rënie drastike të mbështetjes qytetare. Të dhënat nga terreni tregojnë një rënie masive prej rreth 134,000 votash për partinë në pushtet, krahasuar me proceset e mëparshme.

Kjo tkurrje e thellë po interpretohet si një mesazh i prerë nga qytetarët e lodhur prej zvarritjeve, krizave të njëpasnjëshme dhe bllokadave politike që po hyjnë në vitin e tyre të dytë. Pjesëmarrja në votime pësoi një rënie të ndjeshme; nëse gjashtë muaj më parë votuan mbi 900,000 persona, në këto zgjedhje numri i atyre që iu drejtuan kutive të votimit brenda Kosovës zbriti në rreth 722,000. Ky bojkot i heshtur tregon refuzimin e qartë për të mbështetur më tej eksperimentet politike.

Ekspertët dhe analistët e shohin këtë rezultat si një pasojë direkte të lojërave politike dhe "arrogancës së numrave". Pas suksesit historik ku partia siguroi 51 për qind të votave, qasja për të dominuar gjithçka, përfshirë edhe postin e presidentit krijoi perceptimin e një pushteti që nuk ngopet dhe që sillet me arrogancë ndaj rivalëve dhe vetë popullit.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "ORA News" gazetar, Shkodran Hoti, i cili theksoi rënien e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet e Kosovës për shkak të lodhjes nga krizat, si dhe humbjen e votave të Lëvizjes Vetëvendosje si pasojë e lojërave politike, arrogancës dhe qeverisjes së dobët.

"Konsideroj që mesazhi kryesor i këtij procesi elektoral është që qytetarët e Republikës së Kosovës janë lodhur prej një zvarritje, prej një bllokade, prej një krize që tashmë ka hyrë dhe po e mbyll vitin e dytë. Qytetarët e Kosovës dhanë një mesazh për gjithë klasën politike që realisht të kenë kompromise mes tyre dhe të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të mos bëjnë eksperimente me popullin e thjeshtë.

Këtë po e them për shkak se dalja në këto zgjedhje, po flas aktualisht për votën e rregullt apo votën brenda Kosovës pa llogaritur votat me kusht dhe votat nga diaspora, dalja ka qenë dukshëm më e ulët, diku flasim për 722,000 pjesëmarrës në këto zgjedhje, 722,000 qytetarë që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje krahasuar vetëm me 6 muaj më herët ku numri i atyre që morën pjesë në zgjedhje ishte përmbi 900,000.

Dhe mesazhi është i qartë dhe kur e ke parasysh rezultatin e partive politike, pak a shumë të gjitha partitë politike performuan më dobët sesa në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Këtu dëmin më të madh apo rënien më të madhe e pësoi patjetër Lëvizja Vetëvendosje e cila diku është me 134,000 vota më pak "-tha ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET