Familja nuk kishte lekë të paguante faturat, spitali mban peng trupin e foshnjës së vdekur
Dhjetëra motoçiklistë kanë “pushtuar” morgun e një spitali në Indonezi për të marrë trupin e vdekur të një foshnje që po mbahej “peng” për shkak të faturave të papaguara.
Wardiansyah ishte në mesin e dhjetëra motoçiklistëve, që shërbenin si taksi, që vendosën të reagonin ndaj spitalit.
Pamjet tregojnë autokolonën që po largohej nga spitali, me trupin e vogël të Alif Putr në krahët e njërit prej burrave.
Familja e foshnjës pretendoi se M Djamil Hospital i kishte thënë se nuk do ia jepnin trupin e Alif për ta varrosur derisa të paguanin faturën e shpenzimeve në spital.
Ndaj shoferët e taksive vendosën të vepronin dhe xhaxhai i foshnjës 6 muajshe ishte një prej tyre.
“Ne morëm masa pasi zbuluam se familja nuk mund të merrte foshnjën për ta varrosur sepse nuk mund të paguanin një faturë prej 1.774 dollarë në spital,”- shpjegoi Wardiansyah për BBC Indonesia.
Pavarësisht se oficerët e sigurisë tentuan ti ndalonin, hoqën dorë kur panë sesa shumë shoferë të taksive mbërritën në spital.
Video u bë virale në Indonezi dhe ndezi debat mbi trajtimin e prindërve që nuk mund të paguanin faturat mjekësore.
Ka pasur shumë raste kur klinikat kanë mbajtur peng trupat e të porsalindurve derisa të paguheshin faturat mjekësore.
Nëna e foshnjës, Dewi Surya, tha se familja ishte në proces të nënshkrimit për skemën e kujdesit shëndetësor kur Alif u sëmur.
Ai ju nënshtrua një operacioni por vdiq mëngjesin e së martës.
"Spitali donte që ne të paguanim faturën,"-tha Surya e përlotur në funeralin e tij. "Shoferet u zemëruan. Kështu e morën me forcë Alifin. Djali im po priste shumë gjatë në morg.”
Ndërsa spitali kërkoi falje më vonë duke thënë se kjo nuk do ndodhte më.
Drejtori Yusirwan Yusuf tha që faturat e papaguara tani ishin mbuluar nga bordi i spitalit dhe e përshkroi incidentin si një keqkuptim.
"Ne jemi një spital publik dhe asnjëherë nuk pyesim pacientët nëse kanë para për të paguar për trajtim. Spitali mësoi për gjendjen e familjes kur ata paraqitën një ankesë te zyrtari ynë,”-tha ai.
Sidoqoftë, Yusuf kritikoi sulmin e motoçiklistëve taksistë, që e quajti të pamatur dhe të rrezikshëm.



