Lirohet ish-deputeti demokrat, burg për dy kryetarët e degëve të PD-së

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg kryetarin e Partisë Demokratike të Librazhdit, Bujar Vreto, kreun  e degës së Prrenjasit, Arjan Karriqin, dhe dy protestuesit Bujar Kojku e Dashamir Boja, të akuzuar për protestë të paligjshme.

Togat e zeza vendosën të lënë të lirë ish-deputetin e PD-së Aurel Bylykbashi, dhe dy sekretarët e degëve të selisë blu në Librazhd e Prrenjas,  Erlind Gurra dhe Leonard Ozuni, për të cilët  Prokurori Ritvan Suka kishte kërkuar "arrest me burg".

Të arrestuarit u akuzuan për sulmin me sende të forta të eskortës së kryeministrit Edi Rama në protestën e 12 qershorit, duke tentuar të pengojnë mitingun në qytetin e Librazhdit.

Jashtë dyerve të gjykatës, dhjetëra mbështetës dhe familjarë të të arrestuarve pritën vendimin e togave të zeza, të cilët u shoqëruan dhe nga ish-deputetët Edmond Spaho dhe Luçiano Boçi.

Edmond Spaho: Asistuam në seancën e radhës, në përpjekjet e radhës për të trembur PD dhe opozitën e bashkuar në rrugën që kemi ndërmarrë për ta shporrur Edi Ramën dhe klanin e tij nga qeveria, pushteti, nga Shqipëria. Gjyq farsë i zhvilluar sipas urdhrave dhe porosive nga Edi Rama. Kujtojnë se me vendime të tilla do të trembin opozitën. 

Përkundrazi nesër do të na ketë edhe më shumë në gjithë Shqipërinë kudo që shkon Edi Rama për ta kundërshtuar dhe për ta detyruar që të japë dorëheqjen.Të gjithë këta që futen në burg për shkak të protestave të opozitës dhe me urdhër politik nga Edi Rama do të konsiderohen të burgosur politik dhe do të marrin të gjithë mbrojtjen dhe privilegjet që u siguron ligji për të burgosurit politik.

Luçiano Boçi: Duhet të ishte kryeministri, ai po bën krim zgjedhor, është kapur në krim zgjedhor bashkë me Dakon e tij, gjiknurët. Më vjen keq që sot në Shqipëri nuk aplikohet kodi i procedurës penale, por neni 55 i diktaturës,. Rama mendon se po zbeh qëndresën tonë, por të jetë i bindur se nuk i ndahemi këmba-këmbës deri në shkuljen e tij nga karrigia e pushtetit.

Ndërkohë këtë të diele në kuadër të protestave kundër kryeministrit Rama, policia e Korçës ka proceduar penalisht 3 qytetarë të cilët akuzohen se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, kanë hedhur sende të forta në momentin kur ka kaluar eskorta e kryeministrit.

Por sërish protestat nuk kanë ndaluar. Edhe në Grabovicë eskorta e kryeministrit u prit me thirrje "Rama ik", ndërsa për të mos lejuar incidente u angazhuan forca të shumta policië, por edhe specialet.

Masat e sigurisë nga gjykata

– Bujar Vreto, 48 vjeç, (Kryetari i Degës së PD-së Librazhd) në arrest me burg

– Aurel Bylykbashi, 53 vjeç, nga Elbasani (ish deputet i PD)lirohet

– Erlind Gurra, 32 vjeç, nga Librazhdi (sekretari i PD-së, dega Librazhd) lirohet

– Arjan Karriqi, 43 vjeç, nga Prrenjasi (Kryetari i Degës së PD-së, Prrenjas) në arrest me burg

– Leonard Ozuni, 31 vjeç, nga Piskashi; (sekretari i PD-së, dega Prrenjas)lirohet

– Bujar Kojku, 54 vjeç, nga Librazhdi në arrest me burg burg

– Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni në arrest me burg burg



EMISIONET