Pse shtojmë peshë pas moshës 35 vjeç edhe kur hamë njësoj? Nutricionistja zbulon arsyen që ndryshon trupin

Shtimi në peshë pas moshës 35 vjeç është një shqetësim i zakonshëm për shumë persona, edhe kur rutina ushqimore mbetet e njëjtë. Nutricionistja Albana Daka, në një lidhje direkte për Ora News, shpjegoi arsyet fiziologjike që ndikojnë në ngadalësimin e metabolizmit dhe rritjen graduale të peshës.

Sipas saj, pas moshës 35 vjeç trupi fillon të konsumojë më pak energji për të kryer të njëjtat procese si më parë. Kjo bën që kaloritë e tepërta të mos shpenzohen njësoj dhe të depozitohen më lehtë në formën e yndyrës.

“Metabolizmi ulet me 15 deri në 20%...”-tregoi nutricionistja.

Ndryshimet prekin të dyja gjinitë, por gratë përballen më shpesh me shtim peshe gjatë moshës së mesme. Faktorët kryesorë lidhen me masën më të ulët muskulare dhe ndryshimet hormonale që shfaqen gjatë periudhës së perimenopauzës.

Muskujt janë pjesa e trupit që shpenzon më shumë energji, ndërsa masa dhjamore ka efekt të kundërt, pasi nuk konsumon energji dhe ndikon në ngadalësimin e mëtejshëm të metabolizmit.

“Ajo që harxhon energji në organizëm janë muskujt...”-u shpreh ajo.

Nutricionistja shpjegoi se pas moshës 40-45 vjeç, ndryshimet hormonale tek gratë ndikojnë ndjeshëm në mënyrën si funksionon organizmi.

Për këtë arsye, shumë gra vërejnë rritje të peshës edhe pa ndryshuar sasinë e ushqimit që konsumojnë.

Sipas ekspertëve, ruajtja e masës muskulare përmes aktivitetit fizik dhe një ushqyerje e ekuilibruar janë ndër faktorët kryesorë për të ndihmuar trupin të përballojë këto ndryshime natyrale.

Ndryshimi i metabolizmit me kalimin e viteve është një proces normal, por mënyra e jetesës mund të ndikojë në mënyrën si trupi reagon ndaj tij.

 

EMISIONET