Zbulohet një tjetër gjurmë e luftës në Zubin Potok/ Autoritetet kërkojnë mbetje m*rtore të viktimave të 1998-99

Zbulohet një tjetër gjurmë e luftës në Zubin Potok/

Autoritetet e Kosovës kanë nisur gërmime në një fshat të komunës së Zubin Potokut, pas dyshimeve për një lokacion ku mund të ndodhen mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Procesi po zhvillohet me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në terren po kryhen procedurat për zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e mbetjeve mortore.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, bëri të ditur se institucionet përgjegjëse po zbatojnë urdhrin gjyqësor, ndërsa për shkak të fazës së hershme të hetimeve nuk janë dhënë detaje të tjera për lokacionin.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria njoftoi edhe arrestimin e dy personave me inicialet M.J dhe M.B., të dyshuar për krime lufte në rajonin e Mitrovicës. Sipas autoriteteve, hetimet lidhen me lokacionin ku po zhvillohen aktualisht gërmimet.

Kërkimet për personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë kanë vijuar ndër vite në zona të ndryshme të vendit. Gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 u vranë rreth 13 mijë persona, ndërsa më shumë se 1 mijë e 500 të tjerë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2023, palët arritën një marrëveshje për kërkimin dhe identifikimin e të zhdukurve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por zbatimi i saj ka hasur vështirësi.

Takimet e përbashkëta mes dy vendeve për këtë çështje kanë vijuar, por deri tani nuk kanë sjellë rezultate konkrete për familjet që prej dekadash presin informacion për fatin e të afërmve të tyre.

 

 

 

EMISIONET