Zjarr i madh në një fermë blegtorale në Patos, flakët përhapen me shpejtësi nga era
Një fermë blegtorale është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në lagjen “29 Marsi” në Patos, duke vënë në alarm shërbimet zjarrfikëse.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë jo vetëm ambientet e fermës, por edhe bazën ushqimore.
Për përballimin e situatës është kërkuar ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse nga Patosi, Fieri dhe Roskoveci. Në vendngjarje ndodhen 5 mjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale ende nuk janë përcaktuar. Shërbimet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për të vënë nën kontroll situatën dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

