Pas Lezhës tronditet Durrësi, vëllezërit gjenden të vrarë në tregun e makinave
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës.
Dy vëllezër, Viktor dhe Besmir Haxhia me origjinë nga Puka por banues në Durrës, janë gjetur të vrarë brenda një makine tip "Golf 6" afër tregut të makinave në zonën e Shënvlashit pas disa të shtënave me armë zjarri.
Njëri prej tyre ishte me profesion avokat ndërsa tjetri merrej me biznesin e makinave. Ndërkohë që policia njofton se asnjë prej tyre nuk ka pasur precedent të mëparshëm penal.
"Më datë 27.04.2020, rreth orës 16:40, tek vendi i quajtur "tregu i makinave" , Shënvlash, në rrethana ende të paqarta kanë humbur jetën në një mjet dyshohet si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit shtetasit V.H dhe M.H (vëllezër ) " - njofton policia.
Skema e vrasjes së dyfishtë
Burime për Ora News bëjnë me dije se viktimat janë qëlluar në ecje e sipër.
Autorët e ngjarjes kanë qenë duke ardhur nga krahu i Shënvlashit.
Ata e kanë qëlluar mjetin ku ndodheshin dy vëllezërit në pjesën e përparme por duke qenë se mjeti ka tentuar ti shanget pritës është qëlluar dhe në pjesën e pasme.
Nuk dihen ende e shkaqet e ngjarjes, por gazetari i Ora News, Mark Brunga, referuar informacioneve paraprake thotë se ka dyshime se ngjarja lidhet me një borxh për shitjen e makinave.
Bllokohen hyrje-daljet e qytetit, 36 të shoqëruar
Forca të shumta policie po krehin zonën, duke ushtruar kontrolle të shumta të personave dhe automjeteve që lëvizin në hyrje daljet kryesore dhe rrugët dytësore të qytetit.
Deri më tani janë shoqëruar 36 persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë mbritur Forcat Speciale Renea dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës.
Është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor i përbërë me Specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vend ngjarje ndodhet dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe prokurorja Anita Jella.
Vrasja e dyfishtë vjen menjëherë pas ngjarjes së ndodhur vetëm pak orë më parë në Lezhë ku policia gjeti 2 persona të pajetë afër fshatit Lalm i Vjetër.
