Dako: Lul Berishën s’do e punësojmë arkitekt në Bashki, punë vullnetare
Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka shpjeguar çështjen e garancisë së punësimit të Lul Berishës, ish -kreut të bandës së Durrësit, i cili ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit në qytetin bregdetar. Vangjush Dako tha se Berisha do të kryejë punë vullnetare në një nga ndërmarrjet e shërbimeve në bashkinë e durrësit, si ajo e pastrim gjelbërimit, dhe nuk do të paguhet për punën e tij në shërbim të komunitetit.
Bashkia e Durrësit ka sqaruar garancinë e punësimit të ish-kreut të bandës së qytetit bregdetar Lulzim Berisha, që ishte një nga faktorët që ndikoi në vendimin e gjyqtarëve për lirimin me kusht të tij.
Sipas Vangjush Dakos, bëhet fjalë për një procedurë rutinë, ndërkohë që Berisha do të punojë si vullnetar në një nga ndërmarrjet e shërbimit.
Dako: Ka një procedurë që çdo i dënuar që dënohet me dënim alternativ, që do të thotë me një punë vullnetare në komunitet, ne i ofrojmë punën në ndërmarrjet tona të shërbimeve, në ndërmarrjen komunale të pastrimit të plazhit, të pastrimit të qytetit, të dekorit apo të gjelbërimit.Punë vullnetare, ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse e kanë dënim nga gjykata.Nuk ka marrë vendim gjykata akoma se ku do të punojë i dënuari Berisha.Këto janë procedura rutinë të përditshme.
Kryebashkiaku Dako i cilësoi sulm politik, akuzat e kreut të opozitës lulzim Basha dhe deputetit Blen Blushi, të cilët kërkuan largimin e tij nga bashkia e Durrësit. Sipas Dakos, është gjykata ajo që liron të burgosurit dhe jo bashkia.
Dako: Është një inskenim politik i bërë nga PD nga Basha nga Blushi nga të gjithë ata që janë rreshtuar në frontin e të keqes, në frontin e njërëzve që nuk bëjnë punë, por kanë llafe. Ka 50 vjet që kam lindur, kam jetuar në Durrës, nuk kam qenë kryetar bashkie, sot jam nesër nuk jam. Ai ka qenë sportis, biznesmen. Unë njoh rreth 80% të qytetarëve të Durrësit, kështu që Lulzim Berishën e njoh si qytetar të Durrësit.
Dako pohoi se vetem përgjate vitit 2016 bashkia e Durrësit ka dhënë 36 referenca të ngjashme si në rastin e Lul Berishës, për të liruarit me kusht që kërkojnë të angazhohen në punë vullnetare.
Dako tha se bëhet fjalë për punë vullnetare në komunitet të Lulzim Berishës, që ofrohet në të gjitha Bashkitë e vendit për të liruarit me kusht.
Dako: Në të gjitha rastet kur gjykata ka dhënë vendim që një i dënuar të punojë pranë Bashkisë, por kjo nuk do të thotë arkitekt në Bashki, por pranë ndërmarrjeve të shërbimeve në Bashki.Ne zbatojmë vendimin e gjykatës.
Pyetjes së gazetarit nëse e pastron Lul Berisha plazhin, Dako iu përgjigj:
“Nuk është caktuar masë dërgimi”.
Gazetarja: Çfarë ju bindi që të firmosni?
Dako: Kërkesa ishte që familja ka sjellje të mirë në shoqëri apo jo?Familja do të thotë djali me të shoqen, për të cilët ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin.
Bazuar në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit në Durrës, treshja e gjyqtarëve të Apelit është bazuar te raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristike të familjes së Lul Berishës, lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
