Një atentat me armë zjarri është regjistruar pasditen e sotme në lagjen “Bashkimi”, në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Ishte ora 14:20 minuta e 3 marsit, kur Tauland Gjikaj u qëllua me automatik kallashnikov teksa po ecte në trotuarin në afërsi të Gjykatës së Apelit. Pak orë më pas policia arrestoi një prej autorëve të dyshuar, Hansi Jonuzi.

Viktima, 31 vjeç ishte djali i një ish polici dhe njihej si person me precedent penalë.

Zbriti nga makina e qëlloi nga afër
Sipas dëshmitarëve, autori i veshur me të zeza kishte zbritur nga një makinë dhe qëlloi nga afër me armë.

Më pas autori i krimit është larguar me shpejtësi ndërsa në vendngjarje duket se ka lënë një maskë.

Dyshimet janë se 44 vjeçari Jonuzi është ekzekutori i Gjikajt por akuza nuk është vërtetuar ende ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.

Lexo dhe:
Me kallash në makinë, si u arrestua njëri prej autorëve

Në makinë dy persona

Dyshohet se në makinën me të cilën u krye atentati kanë qenë dy persona, njëri drejtonte automjetin, ndërsa tjetri ka qëlluar në drejtim të viktimës Gjikaj. Policia ka rrethuar menjëherë zonën dhe u vu në ndjekje të atentatorëve.

Arrestimi
Disa minuta pas ngjarjes shtetasi Hansi Jonuzaj u ndalua nga policia 1 km lrag vendit të ngjarjes. 44 vjeçari banues në Vlorë ka qenë në automjetin tip “Ford” teksa po largohej drejt pyllit të Sodës. Gjatë kontrollit brenda mjetit policia gjeti edhe një kallashnikov i cili do të verifikohet pasi ka dyshime se është arma e vrasjes.

Hansi Jonuzaj sot, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, Vlorë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit T. GJ., 31 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë” informoi policia e Vlorës në orën 16:50

Automatiku qe u gjet ne makinen ku u arrestua Hansi Jonuzaj


Djali me 3 mbiemra

31-vjeçari i vrarë është një emër i njohur për drejtësinë. Dokumentin e identifikimit mbante emrin Tauland Gjikaj por më herët është njohur edhe me mbiemrat Beqiraj dhe Manaj. Në vitin 2017 ai ishte arrestuar si i përfshirë në një përplasje me armë mes dy grupesh të rinjsh në Vlorë ku mbetën të plagosur 3 persona.

Por në gusht të 2018 atëherë 28 vjeç dhe zyrtarisht me mbiemrin Beqiraj, I riu u lirua nga qelia nga gjyqtarja Herila Çela që u bë shkak për një përplasje të fortë mes Ministrisë së Brendshme dhe gjykatës së Vlorës.

Pistat kryesore të hetimit për vrasjen mësohet se janë konfliktet ku ishte përfshirë viktima më herët por edhe prishja e pazareve të drogës mes grupeve kriminale.