Slogani i presidentit Donald Tramp për t’i rikthyer madhështinë Amerikës fitoi zemrat e republikanëve në vitin 2016, dhe me këtë parullë ai është futur edhe në garën e sivjetme.

Mesazhi i kryeshtetarit amerikan nuk ka ndryshuar shumë nga katër vite më parë pasi sfidat për amerikanët mbeten po ato: ekonomia, emigracioni, politikat e jashtme dhe siguria kombëtare.

Sfida më imediate mbetet pandemia e koronavirusit, të cilën ish-biznesmeni 74-vjeçar është zotuar se do të arrijë ta kontrollojë brenda vitit 2021 nëpërmjet vaksinës që po zhvillohet.

Ekonomia mbetet shtylla e agjendës politike të republikanit.

Ai ka premtuar 10 milionë vende të reja pune brenda 10 muajve, taksa më të ulëta dhe politika stimuluese për bizneset e vogla dhe vijimin e politikës maksimaliste me rivalët e fortë, si Kina.

Në fushën e shëndetit, Tramp planifikon të ulë faturën e medikamenteve, të ndreqë sistemin e sigurimit shëndetësor dhe të mbulojë shpenzimet e trajtimit spitalor me planin ekzistues.

Çdo fëmije në Amerikë premtohet se do i ofrohet alternativa për t’u shkolluar.

Presidenti Tramp do vazhdojë luftën ndaj asaj që ai e quan llumin e politikës amerikane dhe korrupsionit politik, duke u kufizuar mandatet e kongresmenëve, duke i dhënë fund burokracive të qeverisë për t’i dhënë më shumë pushtet vendimmarrës qytetarëve dhe bizneseve të vogla.

Në aspektin e sigurisë, republikanët premtojnë aksion të vazhduar kundër terrorizmit, ekstremizmit vendës, do hiqet dorë nga luftërat pa fund në zonat e nxehta, do mbështeten veteranët e luftës, do avancohet me teknologjinë ushtarake dhe me misionet hapësinore.

Lufta ndaj emigracionit të paligjshëm në vitin 2016 ishte ofertë kyç e fushatës së Trampit.

Teksa avancon ndërtimi i murit me Meksikën, presidenti do që emigrantët e paftuar të mos përfitojnë nga sistemi social, shëndetësor apo arsimor; që anëtarët e bandave të deportohen në vendet e tyre dhe që vendet e punës t’u takojnë amerikanëve dhe jo të ardhurve ilegalë.

Zotime të ngjashme u shqiptuan nga presidenti Tramp katër vite më parë, por sipas analistëve, nga premtimet elektorale të kohës, deri tani republikani ka përmbushur vetëm gjysmën e tyre.