Thuram hap rrugën për Muanin! PSG interesohet për mesfushorin e Juventusit

Interesimi i PSG-së për Khephren Thuram mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Randal Kolo Muanit. Juventusi shpreson të shfrytëzojë këtë situatë për të rikthyer sulmuesin francez në Torino.

Thuram hap rrugën për Muanin! PSG interesohet për mesfushorin e

Kefren Thuram mund të jetë çelësi që Juventusi të rikthejë Randal Kolo Muanin në Torino gjatë merkatos së verës.

Sulmuesi francez mbetet një nga objektivat kryesorë të bardhezinjve, por negociatat me Paris Saint-Germain kanë rezultuar të ndërlikuara, ashtu si edhe një vit më parë. Megjithatë, situata mund të ndryshojë falë interesimit të kampionëve të Europës për mesfushorin e Juventusit.

Sipas mediave italiane, PSG ka kërkuar informacione për Thuram gjatë kontakteve të fundit mes dy klubeve. Edhe pse dy operacionet do të zhvilloheshin veçmas, një transferim i mundshëm i francezit në Paris do ta lehtësonte ndjeshëm rikthimin e Kolo Muanit te Juventusi.

Aktualisht, Thuram vlerësohet mbi 40 milionë euro, ndërsa vlera e Kolo Muanit konsiderohet rreth 20 milionë euro. Megjithatë, situata financiare e sulmuesit është më e ndërlikuar për PSG-në, pasi ai u ble nga Eintracht Frankfurt për një shumë që iu afrua 100 milionë eurove dhe klubi francez nuk dëshiron të regjistrojë humbje financiare nga shitja e tij.

Për Juventusin, largimi i Thuram do të sillte të ardhura të rëndësishme për të financuar operacionet e merkatos dhe për t’i dhënë më shumë liri lëvizjeje drejtuesve të klubit.

Nga ana tjetër, vetë mesfushori shihet i hapur ndaj një rikthimi në Francë. Kalimi te PSG do t’i ofronte mundësinë të luante me një nga skuadrat më të forta të Europës dhe njëkohësisht të rifitonte vendin në Kombëtaren franceze, pas mungesës në Botërorin e fundit.

Për momentin nuk ka negociata zyrtare mes palëve, por interesimi i PSG-së për Thuram mund të shndërrohet në një element vendimtar në të ardhmen e Kolo Muanit dhe të merkatos së Juventusit.

EMISIONET