PËRPLASJA PËR AEROPORTIN E VLORËS! “2A Group” e Valon Ademit bllokon hyrjen për punonjësit e Pacollit
Përplasja mes kompanive MABCO dhe 2A Group në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijoi për të tretën ditë radhazi, duke mbajtur të pezulluara punimet për projektin. Behgjet Pacolli kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve dhe hetim nga SPAK, duke denoncuar atë që e cilëson dhunë dhe paligjshmëri ndaj investitorit dhe shtetit.
Përplasja në kantierin e Aeroportit të Vlorës mes kompanive MABCO të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit vijoi për të tretën ditë radhazi, duke krijuar tensione dhe bllokim të punës për projektin strategjik infrastrukturor.
Përfaqësues të kompanisë 2A Group bllokuan këtë të mërkurë sërish hyrjen në kantier të punonjësve të MABCO, ndërsa këta të fundit hyrjen kryesore të kantierit.
Mes përplasjeve të kompanive, punimet në Aeroportin e Vlorës mbeten të pezulluara.
Punonjësit e MABCO hynë në kantier të hënën mes përplasjeve, bazuar në një vendim të Gjykatës së Lartë dhe paralajmëruan përshpejtim të punimeve, me synimin për të përfunduar brenda një muaji punimet për terminalin.
Por të martën dhe këtë të mërkurë palët u përfshinë sërish në përplasje.
Biznesmeni Behgjet Pacolli, përmes reagimeve në rrjetet sociale, denoncoi situatën dhe kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për atë që e cilëson një çështje të sundimit të ligjit, të sigurisë juridike, të funksionimit të institucioneve shtetërore dhe të mbrojtjes së interesit publik.
Pacolli ka kërkuar që SPAK të hetojë çështjen e Aeroportit të Vlorës, ndërsa ka shtruar edhe disa pyetje për Prokurorinë e Vlorës, e cila sipas tij nuk po vepron përballë dhunës dhe paligjshmërisë që, sipas tij, një grup i organizuar ushtron ndaj investitorit dhe ndaj vetë shtetit.


