VIDEO/ Shënon Gjimshiti, përgjigjet Murriqi, "buzëqesh" Atalanta

VIDEO/ Shënon Gjimshiti, përgjigjet Murriqi, "buzëqesh"

Spektakël pa fund në sfidën çerekfinale të Kupës së Italisë mes Atalantës dhe Lazios, teksa 90-minutëshi pati penallti, karton të kuq dhe mbi të gjitha 5 gola të shënuar, por në fund festuan zikaltrit e Gasperinit, që fituan 3-2 dhe kaluan në gjysmëfinale.

Sfida nisi mjaft mirë për Atalantën, që kaloi në avantazh që në minutën e 7, me golin e shënuar nga mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, berat Gjimshiti, i cili arriti të thyejë portierin spanjoll Pepe Reina, i preferuar sërish para Strakoshës.

Reagimi i Lazios ishte shumë i shpejtë dhe në minutën e 17’ ishte sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi, që pas një krosimi në zonë, gjuajti mjaft bukur me kokë dhe mposhti Gollinin, duke rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 34-t futbollistët e Atalantës harruan mbrojtësin Acerbi, i cili doli si një sulmues i vërtetë në zonën kundërshtare dhe arriti të thyejë për herë të dytë Gollinin, duke u dhënë avantazhin bardhekaltërve kryeqytetas.

Megjithatë pjesa e parë do të përfundonte në barazim 2-2, pasi vetëm tre minuta pas golit të Acerbit, ishte fantazisti ukrainas Ruslan Malinovskij që shënoi golin e dytë për skuadrën e Gasperinit.

Pjesa e dytë nisi me një karton të kuq për mbrojtësin zikaltër, Palomino, i cili la Atalantën me 10 futbollistë përreth 40 minuta. Megjithatë ndonëse me një lojtar më pak, zikaltrit gjetën edhe golin e tretë me Miranchuk në minutën e 57’, ndërsa në të 66-ën Zapata pati mundësinë të mbyllë llogaritë, por gaboi në ekzekutimin e një 11-metërshi, të cilin e priti saktë Reina.

Pavarësisht përpjekjeve të Lazios, bergamaskët e menaxhuan shumë mirë avantazhin, ndërsa tani presin duelin Napoli-Spezia për të mësuar rivalin në gjysmëfinale të Kupës.

Sport Lajme lazio Futboll berat gjimshiti atalanta vedat murriqi kupa e italise

EMISIONET