Zjarri shkrumbon 5 mjete të tonazhit të rëndë në një gurore në Shpërdhet, dyshohet zjarrvënie

Pesë automjete të tonazhit të rëndë janë përfshirë nga flakët në një gurore në fshatin Shpërdhet, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ngjarja është raportuar në polici rreth orës 02:30 nga administratori i objektit, i cili ka njoftuar se mjetet e përdorura në gurore janë djegur brenda territorit të saj.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë vënë nga persona ende të paidentifikuar. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin ligjor të rastit dhe sqarimin e shkaqeve që çuan në djegien e mjeteve.
Hetimet vijojnë.

