“Zhvendosja e protestave drejt Kuvendit ishte e pritshme"/ Olli: Aty merret vendimi final për ligjet
Analisti Leonard Olli ka komentuar zhvendosjen e protestave nga Kryeministria drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar një zhvillim të lidhur me kërkesat për ndryshime ligjore dhe presion institucional ndaj vendimmarrjes.
Sipas tij, kërkesat e protestuesve lidhen kryesisht me ligjin për investitorët strategjikë dhe ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat kërkojnë rishikim ose anulim. Ai shpjegon se, ndonëse nismat ligjore vijnë nga qeveria, vendimi përfundimtar mbetet në Kuvend.
“Zhvendosja e protestave midis Kryeministrisë dhe Kuvendit është një hap logjik dhe duhej të kishte ndodhur më herët, sepse kërkesat lidhen drejtpërdrejt me ndryshime ligjore.”-tha ai.
Në vijim, Olli thotë se presioni i protestave është i ndarë në dy drejtime: ndaj qeverisë për vendimmarrjen politike dhe ndaj Kuvendit si institucioni ku miratohen ligjet.
“Kemi një ndërthurje të protestës ndaj arrogancës së qeverisë dhe presionit ndaj Kuvendit, që është organi që jep fjalën e fundit me votë.”-shtoi Olli.
Ai shton se këto lëvizje qytetare tregojnë mungesë të një organizimi të plotë dhe konsolidimi të protestës si lëvizje e strukturuar.


