Tabaku: Rritja ekonomike për pakicën, varfëri dhe pensione të ulëta për shumicën

Tabaku: Rritja ekonomike për pakicën, varfëri dhe pensione

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish për situatën e pensioneve në Shqipëri, duke theksuar se rritja ekonomike e propaganduar nga qeveria nuk po shkon te qytetarët, por po përqendrohet te një pakicë e privilegjuar.

Sipas Tabakut, pensionistët janë prova më e qartë se ekonomia shqiptare nuk po prodhon mirëqenie për shumicën.

Qeveria pretendon se nga viti 2021 deri në vitin 2025 ekonomia është zgjeruar me mbi 24%. Por gjatë së njëjtës periudhë pensionet nuk kanë ndjekur rritjen ekonomike, ndërsa çmimet dhe kostot e jetesës janë rritur vazhdimisht.

“Pyetja është e thjeshtë: kush përfiton nga kjo rritje ekonomike?”, shkruan Tabaku.

Ajo thekson se sot 27% e popullsisë në moshë pensioni po shtyhet drejt kufirit të varfërisë ekstreme, ndërsa pensioni mesatar i pensionistëve të rinj ka rënë në vetëm 16 mijë lekë në muaj.

Edhe më e rëndë paraqitet gjendja e pensionistëve me pension të pjesshëm. Rreth 55% e 641 mijë pensionistëve marrin mesatarisht vetëm 13,500 lekë në muaj, një shumë që nuk mbulon as nevojat më elementare të jetesës.

Për Tabakun, këto shifra tregojnë se rritja ekonomike nuk po përkthehet në pensione më të larta, në më shumë siguri apo në një jetë më dinjitoze për të moshuarit.

Përkundrazi, ndërsa ekonomia rritet në statistikat e qeverisë, pensionistët humbasin fuqinë blerëse dhe detyrohen të luftojnë çdo muaj vetëm për mbijetesë.

Sipas deputetes demokrate, ky është rezultati i një sistemi që u merr shumicës për të mbrojtur pakicën. Një sistem ku fondet, privilegjet dhe përfitimet ekonomike përqendrohen te një grup i vogël, ndërsa pensionistëve u ofrohen indeksime minimale, të paraqitura si dhurata të qeverisë.

“Ekonomia mund të rritet në letrat e qeverisë, por pensionet bien, çmimet rriten dhe familjet varfërohen”, thekson Tabaku.

Ajo nënvizon se një ekonomi që nuk i shpërblen njerëzit për punën dhe kontributet e një jete të tërë nuk është ekonomi në shërbim të qytetarëve.

Është ekonomi e pakicës, ndërsa faturën e saj e paguajnë pensionistët dhe familjet shqiptare.

EMISIONET