Vr*u efektivin e “Shqiponjave”/ Violand Braçellari prej vitesh xhiro në fshat, i shpëtoi 4 operacioneve të RENEA-s
Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau me armë zjarri efektivin e forcave “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosi tjetrin Edison Adri gjatë operacionit për kapjen e tij mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit, ishte parë një ditë më parë duke bërë xhiro në fshat, ndonëse ishte në kërkim prej vitesh.
Policia ka organizuar operacionin për kapjen e tij pasi ka marrë informacion që nga fshati ka shkuar në stanin ku kishte bagëtitë dhe rrinte me nënën e tij.
Edhe pse i kishte shpëtuar katër herë ndër vite operacioneve të RENEA, policia e Korçës nuk e ka vlerësuar siç duhet rrezikshmërine e tij dhe kanë shkuar një numër i pakët efektivesh për ta kapur.
Burime bëjnë me dije se kanë qenë vetëm 6 policë të Forcave “Shqiponja”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur policia rrethoi stanin ku fshihej 43 vjeçari. Pasi iu kërkua të dorëzohej, Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve. Për pasojë u vra efektivi Enea Mekolli, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërsa i plagosur mbeti një tjetër Edison Adri, i cili mori një plagë në nofull ndërsa aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.
Gjatë kundërpërgjigjes së Policisë me armë zjarri, mbeti i plagosur edhe Braçellari, i cili më pas u arrestua. 43-vjeçari rezulton i dënuar në vitin 2017 me rreth 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar”,- njoftoi sot Policia.


