“Do të sjell Rodrin dhe Haalandin”, deklarata e bujshme e kandidatit për president te Reali

Një deklaratë e fortë e kandidatit për presidencën e Real Madrid, Enrique Riquelme, ka trazuar botën e futbollit dhe ka ndezur entuziazmin e tifozëve madrilenë. Gjatë një interviste, rivali i presidentit aktual Florentino Pérez premtoi se, nëse fiton zgjedhjet, do të transferojë në “Santiago Bernabéu” dy nga yjet më të mëdhenj të futbollit europian: Rodri dhe Erling Haaland.
Deklarata u përhap me shpejtësi në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, duke bërë që tifozët e “Los Blancos” të ëndërrojnë për një skuadër galaktike. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë mbërritën edhe përgënjeshtrimet e para.
Nga kampi i Manchester City nuk ka pasur shqetësim të veçantë për deklaratat e Riquelmes. Drejtuesit e klubit anglez janë të vetëdijshëm se Rodri, i cili është në bisedime për rinovimin e kontratës së tij, e sheh si një mundësi të ardhshme kalimin te Real Madridi. Megjithatë, në “Etihad” besojnë se ky moment nuk ka ardhur ende, edhe pse situata kontraktuale e mesfushorit lë vend për spekulime.
Ndryshe paraqitet situata për Haalandin. Drejtuesit e Manchester City-t e konsiderojnë sulmuesin norvegjez si të paprekshëm dhe si shtyllën kryesore mbi të cilën do të ndërtohet projekti i ri sportiv i klubit.
Madje, gjatë natës erdhi edhe reagimi i drejtpërdrejtë nga rrethi i ngushtë i futbollistit. Agjentja e tij, Rafaela Pimienta, dhe babai i sulmuesit, Alfie Haaland, folën për gazetarin e njohur Fabrizio Romano, duke mohuar kategorikisht çdo kontakt me Real Madridin.
“Është gjithçka shumë argëtuese, por absolutisht e pavërtetë. I urojmë suksese të dy kandidatëve në garën për presidencën e Real Madridit”, ishte mesazhi i tyre.
Për momentin, çështja duket e mbyllur dhe Haaland nuk pritet të largohet nga Manchester City. Megjithatë, në prag të zgjedhjeve presidenciale te Real Madridi, deklaratat spektakolare dhe premtimet e merkatos pritet të vazhdojnë të dominojnë skenën mediatike.


