Tensione në Vlorë për Mateon, familjarët e 8-vjeçarit tentojnë të futen në burgun ku mbahet Çalamani

Familjarët e 8 vjeçarit të vrarë në Fier, Mateo Vasiu kanë protestuar të dielën në Vlorë. Me pankarta në duar ata janë paraqitur pranë paraburgimit ku mbahet i dyshuari për vrasje Klodian Çalamani, ndërsa tensionet kanë shoqëruar të gjithë protestën e tyre. Familjarët që drejtoheshin nga prindërit  e vogëlushit, kërkuan drejtësi, ndërsa tentuan që të futen në burg ku mbahet I dyshuari kryesor për vrasjen e birit të tyre.

Nëna, babai dhe Vëllai i Mateo Vasiut udhëhoqën edhe të dielën protestën në Vlorë.

Me pankarta në duar, ata bënë thirrje për drejtësi për të voglin e tyre të vrarë mizorisht nga Klodian Çalamani në fshatin Grecalli të Fierit.

Ndalesa e familjarëve të 8-vjeçarit ishte paraburgimi i Vlorës, ku mbahet prej së enjtes i dyshuari kryesor i vrasjes.

Ata tentuan disa herë që të futen brenda ambienteve të burgut. Forcat e shtuara të policisë nuk bënë rezistencë, por mbrojtën institucionin paqësisht.

Familjarëve të Mateo Vasiut iu bashkuan edhe qytetarë.

“Për këtë shpirt njeriu që iku aq i vogël, nuk i pati faj djali kokrrës së legenit. Nuk ma kanë fajin policët që po më rrinë gardh atje, ma ka fajin ai atje lart. Ta nxjerr aty në mes të sheshit se do e var,  le të shkojmë ne në burg, ne populli i thjesht, aty le ta nxjerrin."

Të gjithë se bashku nisën një marshim nëpër qytetin e Vlorës.

Qytetarët i mbështetën, duke duartrokitur.

Nëna e Mateo Vasiut kërkoi një përgjigje nga Klodian Çalamani, dhe më pas dënimin me vdekje.

“Kërkesa e nënës është ta sjellësh në mes të Fierit dhe vetëm varje. Dua të më thotë pse ma vrau fëmijën. Të më kërkonte çfarë të donte, vetëm vrasjen mos të ma bënte.”

Të tjerë familjarë kishin rezerva për institucionet shtetërore.

“Institucionet nuk kanë marrë masa as për asistencë psikologjike për familjarët dhe kërkojmë drejtësi përsa i përket Mateos.  Duam që ai të flasë të tregojë çdo detaj sepse janë publikuar shumë lajme.'

Familjarët e Mateo Vasiut kanë nisur edhe një peticion për dënimin me vdekje të Klodian Çalamanit, ndërsa institucionet dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë thënë se ky dënim është i pamundur.

 

EMISIONET