Tenderi 2.5 milionë euro për kompjutera/ AKSHI shpall fitues ofertën më të shtrenjtë
1600 kompjutera, 100 dyer të blinduara dhe aksesorë të tjerë do të blihen për laboratorët e shkollave me një fond prej 2 milion e 500 mijë euro. Sipas dokumenteve zyrtare AKSHI ka shpallur fitues kompaninë që kërkoi 600 mijë euro më shumë se operatori më i lirë.
Tenderi për implementimin e laboratorëve Tik në shkolla ka përfunduar me skualifikimin e të paktën dy kompanive që kanë dhënë një ofertë shumë më të ulët nga shuma që kishte vënë në dispozicion Ministria e Arsimit.
Në prokurimin e hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kanë marrë pjesë 5 subjekte nga të cilat një nuk ka dhënë fare ofertë.
Rezulton se operatori "Sineteza" në bashkëpunim me "Fredi elektronik" kanë kërkuar 229 milionë lekë ose 1 milion e 909 mijë euro për të realizuar kontratën.
Një tjetër subjekt ka qenë "PC store" me ofertë 262 milionë lekë ose 2.1 milionë euro. Ndërsa në vend të tretë renditet "Alba scan" që për listën e kërkuar për t'u blerë, ka kërkuar 309 milionë lekë ose 2 milionë e 580 mijë euro.
Por nga analiza e bërë të dokumentet autoriteti ka skualifikuar të dy kompanitë e para duke shpallur fitues subjektin "Alba Scan" të renditur të tretin me rreth 600 milionë euro më shumë se oferta më e ulët.
Shkak e skualifikimit janë bërë mungesa e përzgjedhjes së saktë të ortakut apo kritere të tjera si numri i punonjësve të certifikuar apo dhe paqartësi për katalogët.
Sipas kërkesës së paraqitur brenda 6 muajve fituesi do të duhet të blejë 1600 minikompjutera, por dhe po aq mbajtëse për kyçjen e laptopit të nxënësve.
Gjithashtu subjekti duhet të sigurojë edhe 100 dyer të blinduara. Këto të fundit duket se do të shërbejnë për të mbajtur larg grabitësit.
Në total me këtë shumë do të blihen 23 mallra, ndër të cilat edhe 100 trajnime. Megjithatë në dokument saktësohet se nga moment i publikimit të fituesit palët kanë të drejtën e ankimimit.