Teatri i “mbytur” nga plehrat dhe inertet, 2 vite gënjeshtra nga Rama dhe Veliaj për ndërtimin

Teatri i “mbytur” nga plehrat dhe inertet, 2 vite gënjeshtra

Kjo është pamja që vjen nga vendi kur dikur ngrihej Teatri kombëtar, i cili u shemb në orët e parë të datës 17 maj 2020, në mes të pandemisë.

Në fotot e publikuara nga Malton Dibra, LSA duket se vendi ku ishte Teatri është i mbushur me mbeturina dhe inerte të mbetura qysh nga shembja.

Po ashtu, edhe pisha që ishte mes dy godinave të teatrove është lënë me ujë të pisët dhe plot me mbeturina të pa pastruara.

Kështu, kur bëhen më shumë sesa 2 vite nga shembja e Teatrit në mes të natës dhe dhunës policore ndaj aktivistëve, ndërtimi i Teatrit të ri nuk duket në horizont.

Duket se nxitimi për ta shembur në 4 të mëngjesit, në mes të pandemisë dhe me njerëz brenda është ftohur ndjeshëm, aq sa pas 2 vite e 1 muaj, jo vetëm nuk janë hapur themelet për ndërtesën e re, por as denjohet të pastrohet nga plehrat dhe inertet trualli.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, dy partizanët më të mëdhenj të shembej së Teatrit kanë deklaruar disa herë se shumë shpejt do të nisin punimet për teatrin e ri.

Ishte vetë Veliaj që pak pas shembjes, në 24 maj 2020 njoftoi se brenda verës do përfundonte projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, do negociohej kredia dhe në shtator do niste puna për ndërtimin e tij.

“Do fillojmë shumë shpejt nga puna. Në fund të verës, pra gjithë arkitektët tanë do shfrytëzojnë kohën e pushimeve që ne të detajojmë projektin dhe pastaj kur të rifillojë jeta në shtator të kemi filluar edhe atë kantier të ri.” – tha Veliaj më 24 Maj.

Po ashtu, Erion Veliaj ka deklaruar disa herë se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i teatri të ri, duke harruar deklaratat e tij paraardhëse.

“Nuk i kemi lekët, por Teatrin do ta bëjmë me paratë e bankës. Ne marrim kredi nga BERZH-i dhe banka të tjera. Është praktikë normale. Po e bëjmë vetë, qeveria i jep bashkisë garanci sovrane dhe ne e marrim nga bankat dhe e bëjmë vetë. Besoj që në këto tre muaj do të punojmë me dy ekipe, ekipi financiar, që negocion kredinë dhe ai teknik për detajimin e projektit” – shprehej Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha gjithashtu në 11 maj 2022 se tha se kriza e çmimeve sipas Veliajt solli një rritje të produkteve që përdoren për ndërtim, si hekuri dhe betoni, duke shtyrë ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Veliaj: Kemi pasur një azhornim të çmimeve, sidomos të hekurit dhe betonit, për punë ditësh nxjerr një akt normativ që bën indeksim të këtyre cimeve që të hapim garën.

Po të bësh një kërkim të thjeshtë në internet, qysh nga maji i vitit 2020 gjen disa deklarata të Veliajt se ndërtimi i Teatrit do të nisë shumë shpejt, por të gjitha kanë rezultuar gënjeshtra.  

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama tha në 25 prill se projekti i Teatrit të ri Kombëtar nuk është ndryshuar, por paralajmëroi se kostoja për ndërtimin e tij do të rritet për shkak të rritjes së çmimeve, ndikuar nga lufta në Ukrainë.

Rama: U bënë 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar e ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh. Fatkeqësisht pasi tërmeti, pandemia e lufta në Ukrainë, kanë goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe të rritjes së çmimeve të ndërtimit në veçanti. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit për Teatrin, por e gjitha lidhet me këtë moment të vështirë për kalimin e projektit nga letra, por gjithçka lidhet me kostot.

Një gjë të tillë e përforcoi edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila është shprehur se ndërtimi i Tetarit Kombëtar është shtyrë për shkak krizës së çmimeve që ka goditur vendin.

Margariti: Projekti është gati, kemi buxhetin për të nisur këtë vit, jemi stepur përpara kohe pasi jemi në momente të vështira, si kriza energjetike dhe impaktin që kemi pasur në çmime prej luftës. Elementë që nuk kanë stopuar vetëm teatrin, por edhe nisma të tjera. Po bëjmë një balancim për këto projekte. Moment delikat, në një periudhë shumë të shkurtër do merret një vendim.

Por pavarësisht deklaratave të Ramës dhe Veliajt që do të ndërtohet shumë shpejt, trualli kur dikur shtrihej Teatrit Kombëtar mbetet një “kosh” mbeturinash dhe inertesh edhe pas 2 vitesh, ndërsa kryeqyteti vazhdon të jetë pa një Teatër Kombëtar të mirëfilltë.

Sa për ndërtimin e Teatri të ri Kombëtar, duket se shqiptarët duhet të presin ca vite, ndërsa deri atëherë do të duhet të shijojnë shfaqjet teatrale të stisura nga Rama dhe Veliaj...

Teatri i “mbytur” nga plehrat dhe inertet, 2 vite gënjeshtra
Malton Dibra, LSA

EMISIONET