SPAK ÇON NË GJYQ AVOKATIN/ Besart Logu akuzohet për ndikim të paligjshëm ndaj drejtësisë! Hetimet zbuluan marrjen e 8 mijë eurove nga një i infiltruar
SPAK ka dërguar për gjykim avokatin Besart Logu, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Hetimet zbuluan se Logu kishte marrë 8 mijë euro nga një agjent i infiltruar, me premtimin për të ndikuar në favor të klientit të tij të arrestuar për mashtrim fiskal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet ndaj avokatit Besart Logu dhe ka dërguar çështjen për gjykim.
Ai akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,
Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit S.C., klient i Logut, i cili ishte nën hetim për “krijim skemash mashtruese për tatimin mbi vlerën e shtuar”, “fshehje të ardhurash” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Sipas dosjes hetimore, më 13 dhjetor 2024, Logu ka marrë 8 mijë euro nga një agjent i infiltruar të cilin e besonte si përfaqësues të familjarëve të klientit.
Në këmbim të shumës, avokati kishte premtuar se do të “ndikonte” tek prokurori, gjyqtari dhe ekspertët kontabël që po shqyrtonin çështjen në Tiranë, për të lehtësuar pozitën e të arrestuarit dhe për ta nxjerrë nga burgu.
Por, sipas SPAK, premtimi nuk u realizua, dhe gjatë hetimeve u provua se paratë nuk ishin shpërblim për shërbime ligjore, por përfitim i parregullt me qëllim ndërhyrjeje në drejtësi.
Prokuroria vlerëson se Logu ka konsumuar elementët e veprës penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, edhe pse shuma e parave nuk ka shkuar për zyrtarët.
SPAK thekson se hetimi është zhvilluar përmes metodave speciale, përfshirë përgjime dhe simulime me agjent të infiltruar, duke siguruar prova të drejtpërdrejta për veprimet e të pandehurit.
Çështja pritet të gjykohet nga një trupë e posaçme në Tiranë në javët e ardhshme.


