Soreca përshëndet BE-në me perlat natyrore të veriut të Shqipërisë: Europa është këtu...

9 maji e njohur ndryshe si Dita e Europës, është data kur u hodh hapi i parë drejt asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.Në vitin 1950 në një fjalim në Paris, Robert Schuman, Ministri i atëhershëm i Jashtëm francez, paraqiti idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë, e cila do ta bënte të paimagjinueshme luftën midis kombeve të Evropës.

Ditën e Europës, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka zgjedhur ta urojë nga veriu i Shqipërisë.

Nga ballkoni panoramik në Tamarë, Soreca tha se po lëmë pas një vit të vështirë porse BE ka qenë në krah të Shqipërisë që preh fillimit të pandemisë Covid 19 për të përballuar krizën shëndetësore dhe ekonomike.

Europa është këtu thotë Soreca, duke shtuar se integrimi i Shqipërisë në BE po ndodh shumë përpara anëtarësimit.

"Ne investojmë në arsim dhe kulturë sepse besojmë se e ardhmja e Shqipërisë dhe BE do të mbështeten te dija dhe dritësimi, ne investojmë te rrugët për t'ju lidhur më mirë me njëri-tjetrin dhe përmirësojmë biznesin. Ne investojmë në bujqësi, në sigurinë ushqimore dhe mjedis për të përmirësuar cilësinë e jetës tuaj".

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka folur dhe për ndihmën që i është dhënë vendit tonë në mënyrë që të rinjtë të mos largohen.

"BE-ja ka dhuruar gjithashtu më shumë se 50 milion euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe bashkitë, si dhe për të mbështetur trajnimet në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë në vendin e tyre. Më pas, para një muaji, ne disbursuam gjithashtu 90 milionë eurot e para të ndihmës sonë makro-financiare".

Duke vlerësuar përparimin, që siç thotë Soreca ka bërë vendi muajt e fundit, sipas tij është koha që vendet e BE të bëjnë hapin e rëndësishëm për të çelur negociatat me Shqipërinë.

Tamara ishte pikënisja e turit tre javor të Sorecës, i cili do të ndalojë në çdo Bashki të vendit  për të komunikuar nga afër me qytetarët.

Meta dhe Xhaçka për 9 majin

Presidenti Ilir Meta ka fajësuar përfaqësuesit e partive politike se kanë krijuar pengesa për integrimin e Shqipërisë në BE.

"Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit '90 "E duam Shqipërinë, si gjithë Europa", por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa. Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre".

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka uruar Ditën e Europës duke theksuar se vendi është pranë objektivit për anëtarësimin në BE.

Shqipëria prej vitesh kërkon hapjen e negociatave por ende nuk është ndezur drita jeshile pasi ende nuk është mbledhur Konferenca Ndërqeveritare.

EMISIONET