SKEMA E TRAFIKIMIT/ 11 klandestinët rrezikuan të mbyteshin në Sazan, arrestohet organizatori

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, ku 11 klandestinë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin në det të hapur teksa udhëtonin me një gomone.

Sipas Policisë është vënë në pranga organizatori i kësaj tentative të dështuar trafikimi drejt Italisë, shtetasi afgan Masud Emir i cili ndodhej vetë në bord. Ai akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ndërkohë, 10 klandestinët e tjerë që u shpëtuan nga bordin e gomones, shtetas nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, janë proceduar penalisht për “Kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”.

Po ashtu është zbardhur edhe gjithë rruga dhe skema e përdorur nga rrjeti i trafikut:

Organizimi në Greqi: 43-vjeçari afgan e kishte nisur planin që nga shteti fqinj, Greqia, ku kishte organizuar futjen e paligjshme të 10 emigrantëve në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër.

Koordinimi me shqiptarin: Pasi kanë hyrë në Shqipëri, afgani ka bashkëpunuar me një shtetas shqiptar (ende të paidentifikuar). Ky i fundit i ka dërguar në telefon një koordinatë (lokacion) në zonën e Semanit në Fier.

Marrja e gomones: Afgani ka shkuar në Seman, ka marrë gomonen që shqiptari i kishte lënë në dispozicion dhe ka futur në bord 10 klandestinët, me synimin për t’u nisur drejt brigjeve italiane, rrugëtim i cili u ndërpre pranë Sazanit pas rrezikut për mbytje.

Sipas policisë, vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast trafikimi.

EMISIONET