Padi për gjenocid?! Rama ‘kundër’ idesë: Kosova të flasë me partnerët

Propozimi i qeverisë së Kosovës për të denoncuar për gjenocid Serbinë për kryeministrin Rama nuk e zgjidh marrëdhënien mes dy shteteve.

Përmes një interviste për Euronews Serbia, kreu i qeverisë shqiptare kërkoi që palët të drejtojnë vëmendjen te e ardhmja.

"Unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve," tha Rama.

Madje Rama thekson se për këto vendime do të ishte më mirë që të zhvilloheshin konsultime me aleatët.

“Ne kemi qenë shumë të qartë, më shumë se njëherë. Parlamenti shqiptar ka miratuar shumë rezoluta në historinë e tij dhe gjëja e fundit për të thënë, dhe është shumë e rëndësishme, është se ne nuk jetojmë në një botë ku jemi të vetëm. Ndaj kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve madhore brenda dhe jashtë Kosovës. Ndaj kjo lloj ideje madhore apo vendime madhore nuk duhet të merren vetëm pse dikush mendon  ashtu, por duhen marrë përmes një shtegu të qartë konsultimesh dhe duke dëgjuar partnerët dhe aleatët dhe deri më sot nuk kam dëgjuar askënd të mbështesë këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aleatët," tha Rama.

Për Ramën, Minischengen-i është shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi. Gjithashtu  Rama kërkoi që Serbia të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO teksa shtoi se nuk ekziston një projekt politik për atë që në Beograd e konsiderojnë Shqipëria e Madhe.

EMISIONET