Zbulohet “kazinoja e fshehtë” në Fushë Arrëz/ Punonjësi në pranga, dy organizatorët në arrati
Policia ka zbuluar një lokal në Fushë Arrëz ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit. Në pranga ka rënë punonjësi i lokalit, ndërsa dy organizatorët janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksioni i Mbështetjes Operacionale Hetimore i DVP Shkodër dhe Komisariati i Policisë Pukë, si pjesë e kontrollit të aktiviteteve të paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Operacioni u kodua “Gaminator”.
Gjatë kontrollit në lokal u sekuestruan 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 mijë lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Arrestimi në flagrancë i punonjësit 30-vjeçar, me inicialet P.P., u plotësua me shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë, I.T. 30 vjeç dhe G.P. 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë organizatorët.
Policia po punon për kapjen e dy të kërkuarve dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.


